Flash News

KRYESORE

Evropa në fazën e re të rihapjes, por vështirë të kthehet në normalitetin e mëparshëm

Miliona njerëz në të gjithë Evropën kanë nisur të lehtësojnë masat të hënë, ndërsa të tjera vende në të gjithë kontinentin filluan të rihapen pas disa javësh në karantinë. Por jo të gjithë janë të kënaqur me atë që shfaq "normalja e re".

Bizneset italiane po pyesin se si do të mbijetojnë mes kufizimeve.

Studentët po kthehen në shkolla me rregulla të forta distancimi në Gjermani, dyqanet e berberëve dhe parukerive po përballen me kërkesa të mëdha pas rihapjes.

Belgët mund të përdorin edhe një herë transportin publik, por maskat e fytyrës janë të detyrueshme, ndërsa në Greqi dhe Portugali po rihapen edhe dyqanet e vogla.

"Faza 2" e planit të Italisë për të lehtësuar kufizimet filloi dje, ku me më shumë se 4 milionë njerëz nisën të kthehen në punë, disa shërbime të transportit publik u rivendosën dhe shumë biznese janë gati të rihapen, njoftoi në Facebook Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte. "Si kurrë më parë, e ardhmja e vendit do të jetë në duart tona", shkruan ai ndër të tjera.

Megjithatë, shumë dyqane jo thelbësore mbeten të mbyllura.

Franco, pronari i bar-kafe ‘Il Bello Cafe’ në Romë, tha se lehtësimi i pjesshëm i kufizimeve nuk do të ishte i mjaftueshëm për të mbajtur në këmbë bizneset.

"Unë sapo u rihapa , por as nuk ia vlen. Ka shumë pak punë për ne, pak njerëz hyjnë. Sigurisht, sepse bari nuk ka të bëjë vetëm me blerjen e një kafeje, ose kapuçinoje, por është edhe për një bisedë, tha ai për CNN.

“Puna jonë në bar nuk shkon me këto masa të qeverisë”, shtoi ai.

Qeveria italiane tha se për të rihapur plotësisht dyqanet, baret dhe restorantet duhet të ngadalësojë shkallën e riprodhimit të coronavirusit në 0.5, domethënë që çdo italian i infektuar infekton më pak se një person tjetër.

Për të rihapur teatrot, stadiumet, Italia dëshiron që numri të jetë sa më i afërt me 0. Aktualisht shifra është rreth 0.6-0.7 në shkallë vendi.

Kishte zhgënjime edhe në vendet e tjera. Berberët dhe parikeritë gjermane u hapën të hënën pas mbylljes me javë, por klientët duhet të presin ende, sepse në Berlin duhet të plotësojnë një pyetësor dhe prenotimet bëhen disa ditë përpara me telefon.

Vendet e tjera evropiane janë duke hequr gradualisht kufizimet. Spanja lejoi njerëzit jashtë për ushtrime këtë fundjavë për herë të parë në shtatë javë.

Portugalia hap dyqane të vogla të hënën dhe njerëzit në Belgjikë mund të udhëtojnë me transport publik por duhet të veshin maska, raporton AFP.

Trafiku u rrit në rrugët greke të hënën ndërsa dyqanet e vogla përfshirë sallonet e flokëve, dyqanet e luleve dhe libraritë u rihapën, raportoi Reuters. Greqia, po planifikon të mirëpresë përsëri turistët këtë verë.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar nuk ka relaksuar ende kufizimet por gjithashtu po bën plane për t'u rikthyer në punë.

Ndërsa Evropa rihapet, pyetja e madhe është se si do të duket kontinenti dikur i gjallë ndërsa kalojmë në një të ardhme tjetër, në atë që prisnim të gjithë. Me siguri ka ndryshuar përgjithmonë. CNN

Të fundit