Flash News

KRYESORE

Facebook kërcënon bllokimin e shpërndarjes së lajmeve në Australi

Facebook kërcënon bllokimin e shpërndarjes së lajmeve

Facebook ka kërcënuar se do të ndalojë përdoruesit të shpërndajnë përmbajtje të lajmeve në Australi, për shkak të projekt-ligjit të ri të hedhur për shqyrtim nga qeveria, i cili detyron këtë rrjet social të paguajë botuesit për artikujt e tyre.

Rregullatorët duan që gjigantët e teknologjisë si Facebook dhe Google të paguajnë për përmbajtjen e ripostuar nga mediat. Muajin e kaluar Google, paralajmëroi përdoruesit e tij se shërbimet e kërkimit mund të përkeqësohen si rezultat i këtij ndryshimi.

Masat e fundit për bllokimin e shpërndarjes së lajmeve pa pagesë në “Facebook” kanë përshkallëzuar tensionet midis firmave të teknologjisë dhe rregullatorëve. Rrjeti i mediave sociale tha se nëse legjislacioni i propozuar bëhet ligj ai do të ndalojë australianët të ndajnë lajme në “Facebook” dhe në filialin e tij “Instagram”.

Komisioni Australian i Konkurrencës dhe Konsumatorëve (ACCC) ka hartuar rregullat për të "barazuar fushën e lojës" midis gjigandëve të teknologjisë dhe botuesve që thotë se po luftojnë për shkak të humbjes së të ardhurave nga reklamat. ACCC iu përgjigj kërcënimit të “Facebook” për të bllokuar përmbajtjen e lajmeve duke shtuar se gjërat ishin keqkuptuar.

“Kodi thjesht synon të sjellë drejtësi dhe transparencë në marrëdhëniet e “Facebook” dhe “Google” me bizneset australiane të mediave të lajmeve”, tha kryetari i ACCC Rod Sims. Australia ka në plan të bëjë që gjigantët e teknologjisë të paguajnë për lajmet e ripostuara.

Por në një postim në blog, menaxheri i facebook për Australinë dhe Zelandën e Re, Will Easton, tha se projektligji "keqkupton dinamikën e internetit dhe do të dëmtojë organizatat e lajmeve që qeveria po përpiqet të mbrojë".

Bllokimi i lajmeve "nuk është zgjedhja jonë e parë - është e fundit", tha ai, duke shtuar se shërbimet e tjera të facebook që lejojnë familjen dhe miqtë të lidhen, nuk do të preken.

Një zëdhënës i “Facebook” i tha BBC se ai "do të japë detaje specifike për zbatimin e ndalimit së shpejti". Disa ekspertë të biznesit argumentojnë se firmat e teknologjisë duhet të paguajnë botuesit për përmbajtjen cilësore të lajmeve që ata ribotojnë.

“Google” dhe “Facebook” paguajnë për disa përmbajtje të lajmeve në tregje specifike dhe thanë se ata planifikojnë t'i fusin këto iniciativa në më shumë vende.

Të fundit