Flash News

OP-ED

Facebook-u është jashtë kontrollit. Si Koreja e Veriut

Facebook-u është jashtë kontrollit. Si Koreja e Veriut

Carole Cadwalldar/ The Guardian

Nuk ka asnjë fuqi në këtë tokë që është në gjendje t’i kërkojë llogari Facebook-ut. Asnjë legjislaturë, asnjë agjenci e zbatimit të ligjit, asnjë rregullator. Kongresi ka dështuar. BE ka dështuar. Kur Komisioni Federal i Tregtisë e gjobiti me një shifër rekord prej 5 miliard dollarësh për rolin në skandalin e Cambridge Analytica, çmimi i aksioneve të kompanisë në të vërtetë u rrit.

Çfarë e bën këtë moment kaq interesant dhe, ndoshta, epokal. Nëse bojkoti i Facebook, nga disa nga markat më të mëdha në botë - Unilever, Coca-Cola, Starbucks - do të ketë sukses, do të ndodhë vetëm sepse ka prekur të vetmen gjë që Facebook kupton: përfitimin. Edhe nëse nuk funksionon, do të jetë një lloj tjetër pike referimi.

Sepse është kjo kompani që lehtësoi një sulm mbi zgjedhjet amerikane nga një fuqi e huaj, që futi në live stream (transmetim të drejtpërdrejtë) një masakër dhe më pas e emëtoi atë për miliona në të gjithë botën, dhe ndihmoi në nxitjen e një gjenocidi.

Po e përsëris. Ndihmoi në nxitjen e një gjenocidi. Një raport i Kombeve të Bashkuara thotë se përdorimi i Facebook luajti një "rol përcaktues" në nxitjen e urrejtjes dhe dhunës ndaj Rohingya-ve në Mianmar, me dhjetëra mijëra të vdekur dhe qindra mijëra që ikin për të shpëtuar jetën.

Shpesh mendoj për atë raport. Kur shikoj dokumentarë që tregojnë punonjës të Facebook duke luajtur ping-pong brenda hapësirës së tyre të sigurt në Menlo Park. Kur bëra një xhiro në qytetin periferik të Silicon Valley në fillim të këtij viti dhe shëtita në rrugën "normale", ku Mark Zuckerberg jeton jetën e tij krejtësisht normale si vendimmarrësi i vetëm i një kompanie, të ngjashmen e së cilës bota nuk e ka parë kurrë më parë. Kur dëgjova se Maria Ressa, gazetarja filipinase që ka bërë kaq shumë për të paralajmëruar dëmet e Facebook, ishte dënuar me burg. Kur lexova mbrojtjen oruelliane të ish-kryeministrit tonë (britanik-shënim i Politiko) Nick Clegg javën e kaluar. "Platformat si Facebook janë një pasqyrë për shoqërinë," tha ai.

Facebook nuk është pasqyrë. Eshtë një armë. Pa leje - nuk i nënshtrohet ligjeve ose kontrollit - është në duart dhe shtëpitë e 2.6 miliard njerëzve, të infiltruar nga agjentë të fshehtë që veprojnë për hesap të qeverive, një laborator për grupet që lavdërojnë efektet spastruese të Holokaustit dhe besojnë se 5G do të na shkrijë elektronët trunorë ndërsa flemë.

Njerëzit ndonjëherë thonë se nëse Facebook do të ishte një vend, do të ishte më i madh se Kina. Por kjo është analogjia e gabuar. Nëse Facebook do të ishte një vend, do të ishte një shtet batakçi. Do të ishte Koreja e Veriut. Dhe nuk është një armë. Eshtë një armë bërthamore.

Sepse më shumë se një kompani ajo është një autokraci, një diktaturë, një perandori globale e kontrolluar nga një njeri i vetëm. E cila - edhe pse prova e dëmit është bërë e pamohueshme, e padiskutueshme, e madhe - thjesht ka zgjedhur t’i shpërfillë kritikët në të gjithë botën.

Përkundrazi, ka vazhduar të pompojë propagandë të pamëshirshme, të pabesueshme, gjithnjë e më predominuese, edhe kur kontrollon kanalet kryesore të shpërndarjes së lajmeve. Dhe ashtu si qytetarët e Koresë së Veriut që nuk janë në gjendje të operojnë jashtë shtetit, ndihet pothuajse e pamundur të jesh gjallë sot dhe të jetosh një jetë të paprekur nga Facebook, WhatsApp dhe Instagram.

Fushata #StopHateForProfit është përqendruar në gjuhën e urrejtjes. Bash ajo ka bashkuar gjashtë organizata amerikane për të drejtat civile në ShBA, për të lobuar reklamuesit që të "ndalin" reklamat e tyre përgjatë korrikut, një fushatë e përshpejtuar nga vendimi i Facebook për të mos hequr një postim nga Donald Trump ku kërcënohen me dhunë protestuesit e BLM (Black Lives Matter): "Kur fillon plaçkitja, filloni të shtënat".

Por kjo është diçka shumë më e madhe se sa problemi i Facebook me urrejtjen. Dhe shkon shumë më larg se ShBA, megjithëse roli që do të luajë në zgjedhjet amerikane është thelbësor (dhe ia vlen të përmendet se kërkesat e # StopHateForProfit nuk shtrihen te ndalimi i gënjeshtrave në reklamat politike, një domosdoshmëri). Dëmet e Facebook janë globale. Kërcënimi i tij për demokracinë është ekzistencial.

A është rastësi që të tre vendet që kanë patur rezultatet më të këqija me koronavirusin janë ato me udhëheqës populistë, fushatat e të cilëve shfrytëzuan aftësinë e Facebook për të përhapur gënjeshtra masivisht? Trump, Bolsonaro, Johnson. Ndoshta. Ndoshta jo.

Dhe nëse nuk interesoheni për demokracinë, mendoni për një moment për koronavirusin. Nëse dhe kur një vaksinë të shpiket, a do të dëshirojnë ta kenë mjaft njerëz? Facebook është i mbushur me anti-vaksinues siç është i infektuar edhe nga antisemitizmi. Nëse kjo është një pasqyrë, Nick, mund të të duhet të shikohesh në të gjatë, ftohtë dhe fort.

Zuckerberg nuk është Kim Jong-un. Ai është shumë, shumë më i fuqishëm. "Hamendësimi im është se të gjithë këta reklamues do të kthehen te platforma jonë pa kaluar shumë," raportohet t’u ketë thënë ai punonjësve javën e kaluar. Dhe megjithëse 500 kompani i janë bashkuar tani bojkotit, Wall Street Journal raporton se kjo përfaqëson vetëm një rënie prej 5% të fitimeve. Mund të rezultojë që Facebook nuk është, thjesht, më i madh se Kina. Eshtë më i madh se kapitalizmi.

Në fund të fundit, varet nga ne dhe kuletat tona dhe çfarë u themi ne këtyre markave. Sepse bota duhet të kuptojë që askush dhe asgjë nuk po vjen për të na shpëtuar. Trump dhe Zuckerberg kanë formuar një aleancë strategjike të pashprehur. Vetëm ShBA ka fuqinë për t’i prerë krahët e Facebook. Dhe vetëm Facebook ka fuqinë për të ndaluar përhapjen e gënjeshtrave të Trumpit.

Ndonjëherë nuk i kuptojmë momentet kryesore në histori derisa të jetë vonë. Ndonjëherë po. Ende nuk është shumë vonë. Pothuajse.

*Përkthimi: Politiko.al

Të fundit