Falsifikim dokumentesh e trafik droge, ekstradohen dy persona nga SHBA dhe Gjermania

Janë ekstraduar në Shqipëri dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Konkretisht, u ekstradua nga SHBA, D.M, 32 vjeç, lindur në Elbasan për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, ndërsa në Shqipëri ishte i dënuar për falsifikim të dokumenteve.

Po ashtu, nga Gjermania u ekstradua A. Xh., 21 vjeç, lindur në Gjoricë e Epërme, Dibër për “trafikim të lëndëve narkotike”.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

Bashkëpunim i ngushtë mes Interpol Tirana dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS).

Ekstradohet nga SHBA, një shtetas i dënuar në Shqipëri për falsifikim të dokumenteve. Ky shtetas i dënuar dhe në SHBA, ku ka kryer 5 vite burg për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”.

Z.Q.K. Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS) ka ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri shtetasin D.M, 32 vjeç, lindur në Elbasan.

Në aeroportin “Nënë Tereza” me ndihmën e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ICE-ERO), Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), u ka dorëzuar specialistëve të Z.Q.K. Interpol Tirana 32-vjeçarin D.M.

Ky shtetas ka vuajtur dënimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka qenë i dënuar me 5 vjet  burg  nga Gjykata e Illinois/SH.B.A, me vendim penal nr. 10CR217, datë 11.05.2011, për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Ekstradimi nga Gjermania

Bashkëpunim mjaft i mirë edhe me Interpol Mynih/Gjermani.

Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i kërkuar për veprën penale  “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Mbrëmjen e djeshme u krye ekstradimi nga Mynih/Gjermani drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar A. Xh., 21 vjeç, lindur në Gjoricë e Epërme, Dibër.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal nr. 333, datë 15.07.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Në datë 29.04.2017 oficerët e policisë kufitare kanë sekuestruar 104,75 kg cannabis sativa, të cilën shtetasi A. Xh. ka tentuar ta trafikojë nëpërmjet kufirit tokësor drejt Maqedonisë së Veriut.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, me qëllim përballjen e tyre me drejtësinë e vendeve të cilat i kanë shpallur në kërkim.