Flash News

OP-ED

Farsa e fundit e Teatrit

Farsa e fundit e Teatrit

Alfred Lela

Ndër kurorat mbi varrin, me dhe ende të freskët, të të ndjerit Maks Velo janë edhe dy shtetërore: njëra e kryeministrit Edi Rama dhe tjetra e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Ky i fundit madje mori pjesë vetë në varrim, duke zgjuar shpresën e vobektë, për ndonjë ndoshta reflektim mbi idetë e Maksit për qytetin. Të paktën atë më të fundit: kryengritjen e arkitektit kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ka një sprovë së cilës familjet mafioze i bëjnë ballë: kur vdes apo vritet njëri prej kundërshtarëve, armiqtë aktualë dhe potencialë, shfaqen në varrim për të treguar ‘respekt’, apo më shumë për të thënë ‘ja ku jam, ne nuk kemi të bëjmë aspak me tragjedinë tuaj’. Madje na dhimbseni dhe vijmë me zemër të rënduar dhe plot ngushëllime. Kjo skenë është pavdekësuar në sagën amerikane të Francis Ford Coppola-s ‘Kumbari’.

Skena e prodhuar prej Ramës e Veliajt ka një twist të ri, ala albanaise. Ata e përcollën me respekt, lule dhe statuse Maksin, por nuk pritën as një javë për t’i hedhur mbi varr, bashkë me kurorat tashmë të thara, edhe rrapëllimën e rëndë të Teatrit. Nuk vranë Maksin, i cili ishte ‘njëri prej tyre’, por amanetin apo betejën e tij të fundit.

Përtej kësaj vrasjeje simbolike, dy njerëzit kryesorë të mazhorancës në pushtet, janë duke u futur edhe në një kuturisje ekonomike. E cila fillon që me kryeneçësinë apo paaftësinë për të kuptuar se prioritetet e Shqipërisë pas koronavirusit kanë ndryshuar katërcipërisht. Parashikimet për rënien ekonomike janë të zymta dhe pritshmëritë variojnë sipas burimeve të ndryshme nga 5-9 përqind në kahjen negative. Krijmi i një konflikti, social së pari, me shembjen e Teatrit, por edhe një shpenzimi luksi, siç ngjan tani çdo gjë që nuk lidhet me utilitetet, përbën një të jetuar jashtë realitetit, ashtu si mbretëresha e famshme që, kur e informuan se populli nuk kishte bukë, tha ‘le të hanë kek’.

Kjo pamaturi, si sociale ashtu edhe ekonomike, mungon te qeveria, dhe pasqyron si do t’i shkojnë punën vendit, duke qenë se punët e veta, si ata në pushtet, ashtu edhe ata në krahun tjetër, i kanë fort mirë të rregulluara.

Cinikët mund të hidhen e thonë se nuk ka rëndësi kur ndërtohet, por kur shembet, dhe koha për këtë është tani. Mund të kenë të drejtë: virusi dhe masat kufizuese kundër tij e kanë mpirë nervin e kundërshtimit, si nga frika sanitare apo dhe ajo qeveritare. Krerët e mazhorancës e dinë këtë dhe kanë zgjedhur kohën më të përshtatshme të mundur: është shumë më e lehtë për të shpërndarë apo arrestuar një grusht njerëzish dhe për ta shembur ndërtesën, ndërkohë që policia i demobilizon ata. Edhe në plan ndërkombëtar antenat janë më pak të ndjeshme, po për faktin e preokupimve me koronavirusin.

Fakti që qeveria ka zgjedhur këtë kohë për të organizuar shembjen, dëshmon pikërisht padrejtësinë të cilën ajo po kryen dhe për kryerjen e së cilës fshihet pas pasigurive të një pandemie.

Është paradoksale që, të njëjtën ngrehinë e ndërtuan italianët me arkitektë, plan urbanistik, ligje, rregulla dhe pa kundërshtime publike, dhe po e shembin shqiptarët, tinzash, në mes të një pandemie, me kundërshtime të forta brenda dhe jashtë, me një plan konfuz dhe disa herë të ndërruar.

Të duket se të dytët janë pushtuesit, jo të parët.

Të fundit