Flash News

KRYESORE

Fatmir Xhafaj, i duhuri i kohës së gabuar

Fatmir Xhafaj, i duhuri i kohës së gabuar

Alfred Lela

Përfundimisht, mund të thuhet se Fatmir Xhafaj vjen në kohën e duhur dhe ikën në të gabuarën. Ai i rezistoi, nga një premisë donkishoteske, akuzave për të vëllanë duke u futur në një fushatë shfajësimi dhe rezistence ndaj sulmeve të opozitës, duke refuzur dorëheqjen e kërkuar me ngulm. Ashtu si i vëllai, që 'u fsheh' në Shqipëri kur duhej të ishte në Itali, dhe 'çau ferrën' për në bregun matanë kur e drejta e këkronte këtu, edhe Xhafaj senior qëndroi kur nuk duhej, dhe iku kur dukej se nuk kish më pse.

Sot, ministri i Brendshëm dha dorëheqjen duke i shtuar pikëpyetjet. Goditja e tij mbi nyjë, me sëpatën e një vendimi drakonian, paradoksalisht nuk e çliroi nyjën, por e shtrëngoi atë. Konsideratat për lëmshin e ri të pseve janë disa dhe kanë të bëjnë me zhvillimet e brendshme në PS, trysninë ndërkombëtare dhe, sigurisht, artilerinë opozitare.

Nëse konsiderojmë luftën e brendshme, duhet llogaritur armiqësia Xhafaj-Tahiri dhe një konferencë e paralajmëruar për paraditen e së shtunës nga ky i fundit, që u shty ose u bë e panevojshme nga dorëheqja. Kjo ngjan me një skenar filmi, por të mbahet parasysh se para 'kërcënimit' të Tahirit vjen paralajmërimi i vetë Xhafajt. 'Më rrini afër këtë javë se kam lajme", u tha ai gazetarëve një javë më parë.

A mos i jepen më shumë kredite se duhet 'hakmarrjes' së Saimir Tahirit dhe hiqen, po kaq shumë nga 'ndërgjegjia' e Xhafajt?

Gjithmonë ka teprime, dhe mangësi njëherësh, në procesin e analizës politike, por një gjë është e sigurt: dorëheqja e Fatmir Xhafajt mëngjesin e së shtunës është një jolajm. Lajmi me peshë, rëndësi dhe shtrirje në të ardhmen e zhvillimeve politike lidhet me faktin se z. Xhafaj është ministrit i dytë i Brendshëm i Qeverisë Rama që ''rrëzohet' nën peshën e së njëjtës insinuatë. Lidhjeve të papërshtatshme politike. Të parit për lidhje të drejtpërdreja dhe të dytit për 'konflikt interesi'  nëpërmjet të tretësh, të vëllait.

Tabloja në këtë rast është më e rëndësishme se ngjyra e fortë e çastit. E një toni të fortë duket edhe përpjekja për heroizimin e Xhafajt, duke lexuar te tërheqja e tij vetminë pa solidaritet në luftën kundër krimit, përballë një qeverie që, e mësuar me të, kërkon të bëjë përpara edhe nëpërmjet inercisë.

Nuk ka heronj megjithatë në radhët e kësaj mazhorance. Xhafaj e pati rastin disa muaj më parë për të qenë normal dhe në lartësitë shtetare të postit dhe ndërgjegjes, dhe e humbi. Tahiri as mund të konsiderohet bir i lartësive të tilla. Rama është 'Skënderbeu' i Elisës, por përtej 'botës së çudirave', ai është 'Hamzai' që as Sandër Lleshin nuk e prodhon dot si pendim apo kthesë, por si mballomë.

Gjenerali i ushtrisë 'e zbukuron' me mefshtësi mjedsin e ashpër ku u qelbëzua gangrena e lidhjeve politikë-krim në kurrizin e një Shqipërie që i kish duruar të gjitha, por 'nuk kish parë asgjë akoma'.

Të fundit