Fatos Baxhaku, ose Diogjeni që kërkonte njeriun/ Dedikimet e kolegëve, artistëve dhe politikanëve për mjeshtrin e reportazhit

Askush nuk mund të thotë se nuk e ka njohur personalisht Fatos Baxhakun. Mund të mos kesh një foto me të, mund të mos ia kesh shtrënguar kurrë dorën, por puna e palodhur e tij, e mbushur me pasion dhe dashuri për njeriun, e ka bërë atë familjar me të gjithë.

Këpucët e Fatosit nuk ishin asnjëherë të pastra nga balta e terrenit. Gazetaria për të nuk ishte zyra me kondicioner, zbardhja e deklaratave të politikanëve, apo takimet e shpeshta tek “Rogneri”.

Zyra e tij ishin zonat e thella të Shqipërisë për të cilat nuk i binte ndërmend askujt dhe pakkush e dinte se ekzistonin. Fshatrat e harruar dhe shtëpitë e rrënuara ishin “Rogneri” i tij, ndërsa personalitetet me të cilat shtrëngonte duart ishin banorët e zbathur të këtyre zonave.

Ai ishte zëri i tyre dhe shpirti i gazetarëisë së vërtetë. Ai, siç e thoshte vetë,  ndihej mirë jo aty ku natyra ishte e bukur, po ku njerëzit ishin të bukur.

Njësoj si Diogjeni, me llambën e shpirtit të tij Fatos Baxhaku kërkonte njeriun aty ku errësira ishte më e madhe.

“Shpresat janë tek ata shpirtra të lirë, që duan të udhëtojnë e të rrëfejnë. Gazetaria s’është gjë tjetër veçse të tregosh. Pra, është ideja njerëzore për të rrëfyer eksperiencën, ajo që na bën gazetarë”.

Kështu e shprehte Fatosi dashurinë për punën e tij dhe kërkonte të injektonte në zemrën e gjeneratës së re të gazetarëve pasionin për zhanrin e reportazhit.

Është e rrallë në jetë, siç thotë gazetarja Beti Njuma në një dedikim për Tosin, të kesh në shkallën sipërore profesionalizmin, talentin dhe mirësinë. Fatos Baxhaku i kishte këto virtyte.

Në ikjen e tij që la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në median shqiptare, miq, kolegë gazetarë, artistë dhe politikanë kanë shprehur keqardhjen dhe ngushëllimet e tyre për këtë humbje të madhe, disa prej të cilave Politiko ka vendosur t’i ndajë me lexuesit.