Flash News

KRYESORE

“Ferri” i trafikut te diga e liqenit dhe Komuna e Parisit, ja sa herë e ka premtuar Veliaj përfundimin e ‘Unazës së Re’

Për banorët që jetojnë në zonën e Komunës së Parisit, pranë Kompleksit Dinamo, në zonën e Kodrës së Diellit dhe Liqenit të Thatë udhëtimi me makinë prej muajsh është kthyer në një situatë ‘ferri’, ku për pak metra rrugë duhet të presësh me minuta të tëra për shkak të trafikut.

Komunës së Parisit i është ndërprerë lidhja me ‘Unazën e Re’ dhe autostradën që të çon te 'Teg', për shkak se punimet vijojnë ende. Ky veprim e ka devijuar të gjithë trafikun në rrugën poshtë digës së liqenit, e cila çdo mëngjes dhe mbrëmje është pothuajse e bllokuar nga trafiku, pavarësisht ndërhyrjes së policisë.

Përfundimin e ‘Unazës së Re’, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto e kanë premtuar disa herë.

Në tetor të 2015-ës, Haxhinasto tha se ‘Unaza e Re’ e Tiranës do të ishte gati në tetor të 2016-ës, deklaratë që u konfirmua pak muaj më pas, në janar të 2016-ës nga Veliaj, i cili madje kishte marrë garancinë se ndërtimi mund të mbyllej tre muaj përpara afatit.

Edhe më 16 gusht të 2016-ës, Veliaj ka publikuar disa foto në profilin e tij në ‘Facebook’ ku njoftonte se mbikalimi te ‘Qyteti i Nxënësve’ është gati, por një vit pas këtij postimi, mbikalimi nuk është hapur ende, ndërkohë që është kthyer në një parking gjigant për banorët e zonës.

Punimet ndërkohë thuhet se po vijojnë, por Veliaj tashmë që është një vit me vonesë nuk del të jap më data për përfundimin e “Unazës së Re”, ndoshta për shkak të frikës se do të bëjë një tjetër premtim që nuk do e mbajë dot.

 

 

Të fundit