Flash News

OP-ED

Festa e 1 Qershorit dhe fuqia e Ministrisë së Arsimit për 'ta rrëmbyer' atë

Festa e 1 Qershorit dhe fuqia e Ministrisë së Arsimit për

Mirela Karabina

Organizimi i festës së 1 Qershorit ishte një tjetër veprim i papërgjegjshëm i ministrisë përgjegjëse për Arsimin. Trashëguar filozofinë rrënuese të denigrimit të njeriut, tjetërsimit të tij nëpërmjet krijimit të “njeriut të ri socialist”, Ministria e Arsimit në ditën e Festës së Fëmijëve, shpalosi para prindërve, para komunitetit dhe para gjithë shqiptarëve përdorimin e brishtësisë së fëmijëve në funksion të pushtetit.

Mjerisht dhe fatkeqësisht, duket që gëzimi i kësaj feste u kufizua në statutet e prindërve në Facebook, të cilët, me të drejtën e gjithë kësaj bote, uronin me shpirt e zemër fëmijët e tyre për festën.

Ndërsa, për ministrinë përgjegjëse për Arsimin, që drejton shkollën, ishte krejt ndryshe.

E ftohtë në qëllimin e saj, por me potere e zallamahi lëvizjesh marramendëse të fëmijëve të rreshtuar sa te Sheshi “Nënë Tereza”, sa te salla e Parlamentit e sa te Kryeministria, në shërbim të imazhit mediatik dhe me arrogancën që e karakterizon, ministria e Arsimit arriti të rrëmbejë gëzimin e festës.

Po, çfarë festuan fëmijët në rreshtimin në kuadrat përgjatë ndërtesave të pushtetit?

Me një parakalim masiv dhe në temperatura të nxehta (si në stërvitje ushtarake), në ditën e 1 Qershorit Ministria e Arsimit u tregoi fëmijëve se kështu është festa e tyre, detyruar e rreshtuar; i tregoi prindërve se ajo ka të drejtë t’i rreshtojë, t’i kufizojë dhe t’i mësojë  fëmijët e tyre  të falenderojnë pushtetin, edhe duke parakaluar para hijes së tij; i tregoi  të gjithëvë se kjo është shkolla shqiptare e cila përgatit nxënës të formëzuar sipas dëshirës së saj dhe jo qytetarë të lirë që festojnë dhe  ndajnë gëzimin e tyre.

Ajo kufizoi këtë liri në rreshtimin e detyruar përgjatë ndërtesave të vjetra qeveritare të bulevardit.

Guxim i tepruar i kësaj ministrie!

Ministria e Arsimit është ministria me impaktin më të madh social, është ministria e fëmijëve.

Domosdoshmëria e vazhdimësisë nëpërmjet pasimit të trashëgimnisë dhe mësimit të brezit të ri, kushtëzoi krijimin e shkollës, që në shoqërinë primitive.

Prandaj dhe ajo është e një rëndësie të veçantë, prandaj dhe ajo është shtylla e një kombi, prandaj dhe ajo ka qenë e lakmuar nga pushtuesit e sundimtarët për të  lehtësuar sundimin e tyre.

Siç dhe duket, Ministria e Arsimit e përdor  këtë rol ndikues të shkollës.

Jo pa qëllim, ajo përdori të njëjtin format dhe të njëjtin rreshtim në kuadrat, dhe të njëjtin vend duke risjellë në kujtesë të  prindërve, gjyshërve dhe shqiptarëve imazhin e viteve të Shqipërisë socialiste, të regjimit më të egër diktatorial, pasojat e të cilit për fat keq, do të na duhet ende kohë  t’i vuajmë.

Asgjë të përbashkët nuk kishte “festimi” i fëmijëve tanë me atmosferën festive apo paradat domethenëse në vendet e hapësirës europiane, ku fëmijët shpalosin dhe gëzojnë lirinë e tyre në ditë festash, ndajnë me prindërit dhe me komunitetin frymën festive të të qenurit së bashku në rrugëtimin e tyre. E trishtë, e dhimbshme, diferenca e madhe në të jetuar dhe në të menduar e fëmijëve tanë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre.

Shkollat duhet të jenë vendet më të hareshme sepse aty është, çiltërsia, mirësia, gëzimi dhe dashuria e fëmijëve. Kjo është filozofia që duhet të drejtojë shkollën. Aty është e e sotmja dhe e ardhmja.

Por, mesa duket, kjo nuk është e parapëlqyer nga Ministria jonë e Arsimit.

Me të bërit ‘sikur”, me deformimit e modelit, me vënien e shkollës në shërbim të pushtetit, strategjia djallëzore po bën dëmin e madh: po tjetërson nxënësin. Tjetërsimi i tyre nuk është gjë tjetër, veçse zgjatim i filozofisë së “trushplarjes”, tashmë, drejtuar te fëmijët, sepse ata janë e sotmja vitale, ata janë e ardhmja e fuqishme.

Risjellja, jo pa qëllim, e imazhit të kuadrateve të hekurta (por tashmë me fëmijë), të cilat dikataturat e instaluara njëqind vite më parë i krijuan për të ndërtuar dhe mbajtur pushtetin e tyre,  Ministria e Arsimit i institucionalizoi në emër të shkollës.

Pra, Ministria përgjegjëse për Arsimin, nuk kurseu përdorimin e shkollave publike (ato jo publike mesa duket nuk kanë qenë të ftuara), si mjetin “fatsjellës” për të justifikuar qëllimin e mbrapshtë të saj: ndërtimin e një shoqërie detyrueshëm të kuadratuar duke kufizuar lirinë, aq shumë të çmuar për botën demokratike.

Të rrënosh shkollën, është të rrënosh qytetërimin. Dhe, kjo po ndodh. Imazhin e një shkolle që kufizon lirinë dhe zhvillimin e fëmijëve shpalosi maskarada e 1 Qershorit.

Pasojat e kësaj janë drithëruese, fatale për të ardhmen e vendit, për krijimin e një shoqërie të shëndetshme, për të ardhmen e një vendi që është është në Europë, por dukshëm, mendërisht mbahet larg saj.

Kjo do jetë pjesë e errët e historisë sonë, por dëmi afatgjatë i saj do të jetë përgjegjësi e të gjithëve.

Të fundit