Flash News

KRYESORE

Festat e fundvitit, policia vë nën kontroll gjithë territorin

Festat e fundvitit, policia vë nën kontroll gjithë territorin

Në prang të festave të fundvitit policia e shtetit ka marrë një sërë masash për rritjen e sigurisë. Do të ketë kontrolle në të gjitha akset kryesore të rrugëve kombëtare, gjithashtu do të organizohen operacione të përbashkëta në pika kontrolli, stacionere apo të lëvizshme, për ndalimin, kontrollin e sigurt të automjeteve dhe kapjen e personave objekt i këtij kontrolli.

Gjithashtu do të forcohet kontrolli në banka zyra të këmbimit valutor apo dhe sheshe kryesore me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

"Strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të situatës së sigurisë, në veçanti në sheshe publike, Qendra Tregtare që frekuentohen nga numër i madh qytetarësh, lokale dhe restorante, apo sheshe ku do të organizohen aktivitete festive etj.

Janë evidentuar dhe organizuar  shërbime, në vende e objekte private, banka, zyra të këmbimit valutor, tregje, lokale të lojërave të licencuara të fatit dhe objekte ku administrohen vlera monetare e materiale, për të parandaluar ngjarje kriminale.

Gjithashtu strukturat e Policisë do të organizojnë takime me subjektet e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare."

"Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e festave të fundvitit, e në pritje të Vitit të Ri 2018, pasi pritet të ketë rritje të numrit të shtetasve që hyjnë e dalin nga territori i Republikës, rritje të numrit të mjeteve në qarkullim, zhvillim të aktiviteteve festive, por edhe përdorim të lëndëve piroteknike, fishekzjarreve etj.

Policia e Shtetit ka përcaktuar objektivat në planet e masave që ka hartuar për këtë fundviti, nëpërmjet të cilave synohet:

  • Rritja e sigurisë në komunitet në të gjithë territorin;
  • Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë;
  • Evidentimi dhe kontrolli i personave me precedent kriminal e penal, mbajtja e tyre nën kontroll dhe automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë;
  • Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave;
  • Identifikimi dhe kapja e personave të ngjarjeve kriminale kundër jetës e pronës dhe personave në kërkim;
  • Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, planifikimi dhe zbatimi i masave për kapjen e autorëve të mundshëm dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore;
  • Rritja e prezencës policore në akset kryesore rrugore, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore dhe ngjarjeve kriminale;
  • Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese", thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Të fundit