Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Fevziu ‘skanon’ politikën: Opozita gaboi me djegien e mandateve, Rama ‘i mallkuar’ në mandatin e dytë
Gazetari dhe moderatori i ‘Opinion’ Blendi Fevziu ka analizuar përmbledhurazi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe krizën që ka përfshirë vendin prej muajsh.
Gjatë një forumi në UET, teksa po përgatitet për të sjellë librin e tij të ri ‘Tirona e nonës’, Fevziu është ndalur konkretisht te problemet e opozitës, qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, parlamentit aktual dhe presidentit Ilir Meta.
Opozita
Sipas Fevziut, djegia e mandateve nga opozita ishte një veprim i nxituar dhe i gabuar.
“Nëse më pyet mua personalisht unë mendoj që lënia mandateve ka qenë veprim i gabuar, sepse mendoj që opozita sidomos me publikimin e përgjimeve të zgjedhjeve do ishte shumë herë më e fuqishme nëse do të bënte një aksion opozitar brenda parlamentit duke kërcënuar me mos hyrje në zgjedhje.
Ndoshta djegia e mandateve ishte një veprim që u kalkulua duke menduar që kundërshtari do të dorëzohej më shpejt, ose ndoshta ishte një veprim i nxituar. Sepse ose dorëzon mandatet dhe sillesh si një forcë jashtë politike, ose qëndron në parlament dhe ndjek rrugën parlamentare të denoncimeve dhe agresive”, thotë Fevziu.
Duke folur për parlamentin aktual, gazetari e cilëson si të tmerrshëm sa i takon formimit të deputetëve.
“Sot ke një parlament në të cilin të zë tmerri, dhe ai i mëparshmi, që të zë tmerri çfarë formimi kanë. Përfshirja në politikë e njerëzve me precedentë penalë, e njerëzve problematikë për shoqërinë, është modeli më i keq që mund t’i japësh sot të rinjve, studentëve”, thotë Fevziu.
Ilir Meta
Duke folur për Ilir Metën, gazetari e cilëson presidentin shpesh të palexueshëm.
“Ilir Meta është moshatari im, kemi qenë në shkollë bashkë. Meta është ndër personazhet pak më të vështirë për t’u lexuar sepse në jetën e tij politike ka treguar momente të çuditshëm, jo të uljeve dhe ngritjeve që janë karakteristike të politikanëve, por dhe një stil të çuditshëm të përqasjes ndaj fenomeneve. Ka bërë dorëheqje spektakolare kur nuk ka qenë e nevojshme, është rikthyer kur është dukur e pamundur.
Në këto ditët e fundit, duhet të jesh Edi Rama që të kuptosh çfarë do të thotë Ilir Meta. Sepse shumica e mesazheve që komunikon Presidenti janë mesazhe për Ramën, kështu që s’di çfarë të them çfarë do të thotë dhe çfarë jo. Herë më duket sikur do të negociojë, herë sikur do të mbrojë pozitat e veta, herë sikur ka kalkuluar gabim, por kjo është gjithmonë analizë. Nuk është informacion, që opozita të ketë menduar se Rama do të tërhiqet si në rastin e çadrës, do gjejë një marrëveshje.
Edi Rama
I pyetur për ecurinë e qeverisë në dy mandatet e saj, sipas Fevziut qeveria Rama ka patur probleme të shumta.
Madje, sipas tij në mandatin e dytë qeverisë ka balancuar më shumë goditjet politike dhe mediatike që ka marrë.
“Mendoj që Rama ka patur probleme shumë të mëdha që në mandatin e parë të qeverisjes. Gjë që qeverive nuk iu shfaqen dukshëm në mandatin e parë, në mandatin e dytë, është një mandatë që më shumë se sa të qeverisë ka ndenjur për të balancuar goditjet politike dhe mediatike që ka marrë. Një pjesë e mandatit shkoi për të sqaruar çështjen e Saimir Tahirit, një pjesë për çështjen e Babales, Fatmirë Xhafës, tenderin e Unazës së re, së fundmi dalja e opozitës nga parlamenti.
Jo të gjitha varen nga qeveria por problemi është që kjo qeveri nuk ka diktuar një axhendë të sajën. Rama në zgjedhjet e 2017 ka fituar me tepsinë dhe tenxheren pa bërë asnjë premtim elektoral.
Nëse ti sot bën një shikim të premtive elektorale, siç na ndodhi në 2017, që ne morëm çfarë kishte premtuar në fushatë dhe çfarë kishte bërë, ti sot nuk i gjen asnjë premtim. Ishte një fushatë folklorike që më shumë u mbështet tek gallata, tek tepsia, timoni, batutat folklorike, sesa ke premtimet apo program i mirëfilltë.
Sot asnjë nga ju nuk mund të thotë çfarë ka premtuar qeveria. Kjo e bën shumë të vështirë kërkimin e llogarisë. Është një ngërç që zakonisht është një mallkim i mandatit të dytë, ndodh shpesh me gjithë kryeministrat, por ky e ka tejkaluar, i ka ndodhur përpara Ramës, që në fillimet e veta”, u shpreh Fevziu.