Flash News

KRYESORE

Fier/ Sekuestrohen 1 ton drogë, me destinacion Italinë

Një sasi prej 1 191 kilogram lëndë narkotike janë sekuestruar sote nga policia në plazhin e Semanit në fier e cila po transportohej përmes detit.

Policia e Shtetit sqaron se lënda narkotike e kapur në det ishte në mjetin e bllokuar lundrues Velierë me emrin “Nano Nini” me flamur belg me 2 persona në bord, një italian dhe një shqiptar.

Ata janë shtetasit Veli Ymeraj, 35 vjeç, banues në Fier dhe Ciovanni Palladino, 69 vjeç, banues në Itali, të cilët janë arrestuar nga policia.  

Lënda narkotike ishte e ndarë në 151 pako të mëdha.

Me të parë Rojën Bregdetare, dy personat në bordin e mjetit lundrues, kanë hedhur lëndën narkotike në det në zonën midis plazhit të Semanit dhe të Darëzezës.

Në operacionin e vështirë për shkak të kushteve atmosferike me dallgë 5 – 6 ballë janë angazhuar edhe Policia Kufitare, Delta Forcë si dhe Guardia di Finanza.

“Personat në velierë janë kapur nga Policia dhe janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë, Fier.

Forcat e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me FNSH-në Fier, Delta Forcë e Policisë Kufitare përgjatë natës dhe orëve të para të ditës së sotme, kanë rikuperuar të gjithë sasinë e lëndës narkotike që ishte hedhur në det.

Gjatë kontrollit në mjetin lundrues janë gjetur mbetje të lëndës narkotike, dy armë gjahu pa leje, dy aparate GPS dhe 1 palë dylbi”, sqaron policia.

Dyshohet  se  mjeti lundrues kishte destinacion Italinë.

Vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me Policinë Italiane për zbardhjen e plotë të tentativës për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

 

Të fundit