Flash News

KRYESORE

Firma e Senida Mesit për aferën e Teatrit Kombëtar, kusht për të marrë Bashkinë e Shkodrës?

Lajmi që mbizotëroi në media ditën e djeshme ishte projektligji për godinën e Teatrit Kombëtar, i miratuar nga Qeveria e Edi Ramës dhe i dorëzuar në Kuvend me ‘procedurë të përshpejtuar’. Një detaj i rëndësishëm i këtij projektligji të dyshimtë është se ai nuk është firmosur as nga kryeministri Rama dhe as nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, por nga zëvendësat e tyre, Senida Mesi dhe Erjon Luçi.

Zv/kryeministrja Mesi nuk është përfshirë asnjëherë në çështjen e teatrit, e megjithatë, ajo ka pranuar të vendosë firmën në një projektligj që i jep kompanisë ‘Fusha’, 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës, pa asnjë tender dhe që parashikon shembjen e godinës, vendim shumë i kritikuar nga artistët shqiptarë.

Ky projektligj e vlerëson tokën e Teatrit Kombëtar më pak se 470 euro për metër katror, në një zonë ku një apartament i zakonshëm kushton mbi 2500 euro për metër katror, ndërsa një dyqan për 5 apo 6 mijë euro për metër katror.

Zonja Mesi nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim se përse ka firmosur një projektligj të dyshimtë, i cili përmban qëndrime kontradiktore, që nga çmimi i tokës dhe deri te kërkesat ligjore që janë anashkaluar aty.

Përgjigja nuk ndodhet në Tiranë, por në Shkodër dhe lidhet me ambiciet e zv/kryeministres për të marrë drejtimin e bashkisë më të madhe në veri të vendit. Ky guxim i Senida Mesit, të cilin nuk e pati as ministri Ahmetaj, mund të lidhet me faktin se ajo përflitet prej muajsh si kandidatja e Partisë Socialiste në Shkodër për zgjedhjet lokale të 2019-ës.

E pyetur në muajin shkurt të këtij viti në emisionin ‘360 gradë’ nëse ka ambicie për të thyer të djathtën në kryeqendrën e veriut dhe për të marrë ajo drejtimin e bashkisë, Mesi nuk dha një përgjigje konkrete, por u shpreh se, “vij nga një eksperiencë e gjatë në sistemin privat dhe sigurisht kam bërë dhe ato politika të qeverisjes vendore në dy vite në Shkodër.”

Të fundit