Firmoset marrëveshja me Italinë, jep 90 mln euro kredi dhe 5 mln euro grante për rindërtimin pas tërmetit

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë italiane për dokumentin e detajimit të angazhimit prej 95 milionë euro, nga të cilat 5 milionë euro janë grant për rindërtimin e objekteve publike, që dolën jashtë funksionit nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa 90 mln euro të tjera janë kredi e butë për qeverinë shqiptare.

Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci tha se kjo marrëveshje dëshmon raportet e ngushta mes dy vendeve fqinje, ndërsa detajoi se ku do të përdoren këto para, bazuar në dokumentin e hartuar nga autoritetet shqiptare.

“Kjo dëshmon marrëdhëniet mes dy vendeve, jemi si dy vende vëllezër sepse në momente të vështirë Italia i është gjendur Shqipërisë dhe e kundërta.

Shuma është ndarë në 5 mln euro grante për qeverinë dhe pjesa tjetër është kredi e butë që do lëvrohen në sektorët kyç të ekonomisë, duke patur parasysh dokumentin e hartuar pas goditjes nga tërmeti, sidomos në rindërtim, në infrastrukturën energjetike, rindërtimin e enteve, aktivitetet e detit, në emergjencat civile. Nënshkrimi i marrëveshjes është pikë nisje për një proces të gjatë punë që na pret “, tha Bucci.

Këto fonde u alokuan nga Italia kur mori pjesë në Konferencën e Donatorëve.

Kredia e butë prej 90 milionë euro do të angazhohet:
a) Në sektorin e energjisë, për përmirësimin e mëtejshëm të linjave të transmetimit
b) Në zhvillimin e ekonomisë së detit, për përmirësimin e infrastrukturës portuale dhe peshkimit
c) Në rritjen e kapaciteteve për përballimin e fatkeqësive natyrore, me përmirësimin e flotës dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të emergjencave civile.