Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
I njëjtë me Mark Antonin në fjalimin e varrimit të Çezarit u shfaq Edi Rama në postimin e tij pas dorëheqjes së kandidatit për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri.
I zënë ngusht mes kanakarit të tij për qytetin verior dhe ‘gjetjeve’ të pakundërshtueshme të inkriminuese të opozitës, kryeministri vendosi të bënte atë që ka bërë gjithmonë kur gurët e lojës kanë rënë nga tryeza e tij e shahut.
Ai e dorëzoi Pjetrin në heshtje duke bërë të paditurin dhe duke hequr shpine çdo përgjegjësi në lidhje me kandidimin e tij.
Duke i përligjur ‘bëmat’ e kandidatit të tij për shkak të moshës, edhe pse ai ka qenë madhor kur i ka kryer ato, kryeministri tha se Valdrini është djalë i mirë, por ka bërë gabim që ia ka fshehur partisë ‘njollën në biografi’.
I zënë ngushtë mes dashurisë për Çezarin dhe frikës prej Brutit dhe senatorëve të tjerë që kishin ngulur thikat mbi trupin e perandorit të Romës, Mark Antoni u shpreh me këto fjalë në varrimin e mikut të tij:
Këtu, pas lejes Brutit e të tjerëve, – se Bruti është burr’ i nderçim, të nderçëm janë që të gjithë, ay dhe shokët, – vinj që të flas në funeralin e Qesarit. Ish miku im, më qe i drejtë dhe i besës. Por Bruti thotë, qe ambicioz; dhe Bruti është burr’ i nderçëm.
Nuk dihet nëse në ato çaste kryeministri Rama ka pasur ndërmend fjalimin e Mark Antonit nga vepra e Shekspirit, por shkroi virutalisht thuajse të njëjtat fjalë në ‘varrimin’ politik të të përzgjedhurit të vet:
Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!
Një ‘thikë’ e ngulur me lezet në shpinën e Valdrin Pjetrit, ndërkohë që dora tjetër e udhëheqësit ledhaton.
Por ndërkohë që ‘djali i mirë’ Valdrin dha dorëheqjen me anë të një letre që nuk është diçka e re për socialistët, pasi të gjithë ‘të rrethuarit’ e ‘Rilindjes’ janë larguar me një letër të tillë; selia rozë nuk ka dhënë akoma asnjë deklaratë për dorëheqjen e tij dhe nga ana e vetë Pjetrit nuk u është dhënë asnjë ndjesë votuesve socialistë shkodranë.
Pardje pati një sherr mes socialistëve të degës së PS-së në Shkodër; ata u shprehën të zhgënjyer nga qendra, pasi kishin pasur ndërmend tre emra të tjerë për t’i kandiduar në Shkodër, por Rama nuk ua kishte vënë veshin, duke zgjedhur të preferuarin e tij.
Kështu, Valdrin Pjetri nuk ka qenë i besuari i socialistëve, por vetëm i Edi Ramës. Kjo i krijon hapësirë mendimit se të tillë kanë qenë të gjithë ‘rilindasit’ e rënë nën ‘kosën’ e skandaleve që ka nxjerrë zbuluar lidhjen e tyre me krimin.
Kjo të çon në një përfundim tjetër ende më tronditës dhe me pasoja për vendin. Kryeministri i Shqipërisë, njeriu i cili i ka dalë për zot reformës në drejtësi, pjesë e së cilës është edhe procesi i vetingut, e ka ngritur dhe e ka çimentuar pushtetin e tij me njerëz të lidhur me krimin.
Atëhere, sa i besueshëm është Edi Rama për socialistët si kryetar i PS-së, në një kohë kur kandidatin e tij të preferuar që e ka zgjedhur me dëshirën e tij, pa marrë parasysh as vullnetin e të majtëve të Shkodrës, e lëshon pa të keq, thjeshtë me një postim në facebook?
Sa i besueshëm është Edi Rama për shqiptarët si kryeministër i Shqipërisë, kur nga njëra anë u premton atyre se do u ndërtojë një sistem drejtësie të kulluar, e nga ana tjetër dalin çdo ditë funksionarë të qeverisë së tij që kanë hesape për të larë me drejtësinë?
Edhe sa kohë do i duhet atij që, ashtu si Valdrinit me shokë, t’i shkruajë letrën e lamtumirës jo vetëm drejtësisë, sigurisë dhe ëndrrës europiane, por edhe të ardhmes së këtij vendi?