Flet anëtarja që u dorëhoq nga Këshilli Studentor në Shkodër: U intimidova nga rektori

Në Universitetin e Shkodrës studentët kanë filluar të japin dorëheqjet e para. Melisa Braci, anëtare e Këshillit studentor prej studenteve të Fakultetit të Drejtësisë është dorëhequr si shenjë proteste ndaj tarifave të larta dhe vendimit për të paguar për çdo provim të mbartur. Ajo sqaron se është intimiduar nga rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Adem Bekteshi në Shkodër.

“Duke pasur parasysh të gjitha ngjarjet që ndodhen sot, intimidimi nga ana e rektorit, kemi marrë këtë iniciative sot që do të shumëfishohet nesër, që të ngremë zërin tonë dhe të themi se; ne nuk mund të frikësohemi  nga asgjë dhe asnjë njeri qoftë ai i çfarëdo lloj posti. Ne jemi kundër tarifave që janë vendosur me 6700 lekë për sa i përket riprovimeve ose studentëve ngelës dhe jemi kundër tarifës vjetore që është aq e lartë. Sot jemi kaq, por siç ju thashë nesër do të jemi shumë dhe më shumë”, shprehet Melisa Braci.

Këshilli Studentor është një organ i vetëqeverisur nga studentët dhe si mision bashkëpunimin më të gjerë të studentëve me stafin pedagogjik për nxitjen dhe zhvillimin e veprimtarive shkencore dhe përmirësimin e procesit akademik.

Ndërkohë, protesta e planifikuar për t’u zhvilluar sot në Shkodër është shtyrë për ditën e nesërme.