Flet për ‘Politiko’ gazetari nga Kina: Në Wuhan ndodhen dy studentë shqiptarë, kjo është gjendja e tyre

Jo vetëm Kina, por edhe shumë shtete të tjera të botës janë vënë në alarm prej coronavirusit që ka shkaktuar deri tani të paktën 41 viktima dhe qindra të tjerë të infektuar.

Virusi vdekjeprurës shpërtheu në Wuhan, një provincë ku ka edhe shqiptarë. Ky fakt është konfirmuar për ‘Politiko’, nga gazetari shqiptar Edison Myrteza, i cili ka treguar mbi situatën me të cilën po përballet aktualisht Kina.

Sipas gazetarit, pikërisht në vatrën ku buroi fillimisht ky virus, aktualisht ka edhe shqiptarë, por që sipas tij janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Nuk ka shqiptarë të rrezikuar nga kontakti që unë kam patur me dy prej tyre, të cilët janë studentë dhe ndodhen në Wuhan. Janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa probleme. Ata janë duke qëndruar në ambiente të mbyllura.

Mund të them se dy shqiptarë të tjerë nuk ndodhen aktualisht në Kinë, për shkak të pushimeve të vitit të ri kinez, ndërsa një tjetër ka marrë masa që edhe pas daljeve në ambiente publike të jetë i mbuluar me maskë dhe të mos qëndrojë në ambiente me shumë njerëz”, u shpreh gazetari Myrteza nga Pekini.

Po ashtu, ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja apeloi më herët shqiptarët që të shtyjnë për më vonë udhëtimet dhe kontaktet fizike me Kinën, deri sa situata e krijuar nga Coronavirusi të vihet nën kontroll.