Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Flet redaktori i DW: Mendohet se ka me qindra shqiptarë të infektuar me Covid-19 në Gjermani; Ç’do ndryshojë pas krizës mes vendeve të BE
Gjermania është cilësuar deri tani si një ndër vendet me përqindjen më të ulët të vdekshmërisë në Evropë, për shkak të pandemisë Covid-19 që ka ‘mbërthyer’ planetin.
Megjithatë, qeveria ‘Merkel’ ka ndërmarrë një sërë masash paraprake, që janë pritur mirë nga banorët, fakt ky që përshkruhet më së miri edhe nga redaktori i Deutche Welle, Bahri Cani në një intervistë për Politiko.al.
Cani na tregon si është gjendja aktuale përballë pandemisë , apo si ka ndikuar në popullaritetin e kancelares Angela Merkel reagimi i qeverisë ndaj pandemisë.
Po ashtu, redaktori i DW beson se ka me qindra shqiptarë të infektuar në Gjermani, bazuar në intervistat që ka realizuar së fundmi me mjekët atje, megjithatë shifrat zyrtare ende nuk bëhen të ditura.
Ju jetoni në Gjermani, si është situata atje aktualisht sa i takon pandemisë Covid-19?
Numri i infektimeve në Gjermani po rritet nga dita në ditë, por njëkohësisht po shihen edhe rezultatet e para pozitive të kufizimit të kontakteve sociale, sepse kurba ka nisur të jetë më horizontale.
Autoritetet gjermane shpresojnë se rritja e numrit të infektimeve do të ngadalësohet dhe se së shpejti do të mund të marrin vendime të tjera për relaksimin e masave. Por, deri më 20 prill vlejnë masat rigoroze të kontakteve sociale, që do të thotë se në rrugë nuk lejohet dalja e më shumë se dy personave, por duke mbajtur distancë mes tyre.
Gjermania ka futur tani edhe kontrollet e kufirit të jashtëm me të gjitha vendet dhe karantinën e detyruar për të gjithë personat që kthehen nga vendet tjera.
Si i kanë pritur banorët masat e ndërmarra nga qeveria ‘Merkel’ dhe a kanë qenë efektive deri tani?
Të gjitha këto masa janë pranuar shumë mirë nga popullata e gjërë, e madje 60% prej tyre do të ishin të gatshëm të përballen me masa edhe më të rrepta, sikur kjo të ishte në interesin e tyre. Autoritetet gjermane thonë se në vend të parë është shëndeti, e pastaj vijnë interesat tjera. Por njëkohësisht po mendohet edhe për strategjinë dalëse nga kjo situatë, ndaj shpresojmë që masat të japin rezultate edhe më të mira dhe që së shpejti të kemi lajme më të mira nga Gjermania. Sidoqoftë, ky është vendi me përqindjen më të ulët të vdekshmërisë në Evropë dhe institucionet po punojnë me ngut për gjetjen e medikamenteve dhe terapive kundër COVID-19.
Mund të them po ashtu se 89% e gjermanëve janë të kënaqur me punën e qeverisë federale në Gjermani, prej shpërthimit të pandemisë Corona. Ndërsa vetëm 8% mendojnë se qeveria nuk po punon mirë. Rreth 75% e qytetarëve gjermanë ka pranuar masat e qeverisë për ndalime dhe kufizime sociale, sepse mendojnë se këto janë në interesin e vet qytetarëve.
Gjermanët janë pra shumë të kënaqur me punën e qeverisë dhe institucioneve të shëndetësisë. Kancelarja Angela Merkel është sërish politikanja më e popullarizuar në Gjermani, ndonëse muajt e fundit ekzistonte përshtypja se po bie rejtingu i saj. Në vendin e dytë në sondazhe është lideri i partisë CSU, kryeministri i Bavarisë Markus Söder. Ndërsa vendin e tretë për nga popullariteti e zë ministri i Shëndetësisë Jens Spahn, që vetvetiu flet për kënaqësinë e gjermanëve me punën e autoriteteve.
A ka shqiptarë të infektuar në Gjermani?
Me siguri që ka me qindra shqiptarë të infektuar. Këtë e thonë në fakt mjekët shqiptarë me të cilët kam kam realizuar intervista së fundi. Të dhëna të tilla zyrtare nuk ka, sepse në Gjermani bëhen evidenca të personave të infektuar, por nuk ndahen për nga përkatësia nacionale.
Sidoqoftë, ka mjekë që thonë se ka me qindra të infektuar. Por këto të dhëna duhet të merren me rezervë.
Ju, si shumë kolegë, po punoni mes kufizimesh sa e vështirë është kjo periudhë për një gazetar?
Edhe ne në DW jemi adaptuar me kushtet dhe tani jemi duke punuar kryesisht nga shtëpia. Por njëkohësisht, DW ka siguruar edhe kushtet e domosdoshme higjenike dhe pajisjet për siguri në vendin e punës. Deutsche Welle është duke funskionuar pra pa kurfarë pengesash, ndonëse në kushte të adaptuara ndaj situatës.
Puna me siguri që nuk është e lehtë si përpara, por ne e shohim këtë edhe si një shans për më shumë kreativitet. Ndaj kemi filluar edhe projekte të ndryshme të kontaktit dhe informimit sa më të mirë përmes faqeve tona, partnerëve tanë në Shqipëri e Kosovë dhe rrjeteve sociale.
Pandemia nxorri në pah një mungesë sensibilizimi të vendeve të BE ndaj atyre shteteve që patën më shumë nevojë për ndihmë, siç është rasti i Italisë. Çfarë mendoni se do ndryshojë në raportet mes vendeve të BE pas Covid-19?
Bashkimi Evropian po dëshmon sërish se ka probleme shumë serioze me harmonizimin e qëndrimeve. Por komisionerja Ursula von der Leyen dhe autoritetet tjera kanë ndërmarrë ndërkohë edhe disa nisma për përmirësimin e gjendjes dhe ndihmën e domosdoshme.
Një ndër problemet më të mëdha të BE është mungesa e solidarizimit që është parë më së miri edhe në rastin e mungesës së vullnetit për shpërndarjen e refugjatëve.
Duket se disa vende e kanë kuptuar BE-në si një burim për ndihma dhe financime dhe jo si një organizëm të përbashkët. Ndaj, jam shumë i bindur se disa gjëra duhet të ritrajtohen dhe do të ndryshojnë pas kësaj krize.
Por kjo është një çështje që do të trajtohet më vonë, sepse detyra parësore tani është shpëtimi i jetës së njerëzve dhe mbrojtja e bazës ekonomike, në mënyrë që ekonomia të ringjallet sa më shpejtë që është e mundur. Por problemet me siguri që do të jenë të mëdha.
Intervistoi: S.Gj