Flash News

KRYESORE

Fletët e pavlefshme më të vlefshme të 30 qershorit

Marsel Lela

‘Më detyruan’, ‘kecat e dajës’, ‘dua të vdes, ‘s’jam dele’. Këto janë vetëm disa nga ‘autografët’ që qytetarët kanë lënë për politikën shqiptare në fletët e votimit që u zhvillua dy ditë më parë, më 30 qershor.

Kanë qenë jo pak, por 10 mijë e 740 vota të pavlefshme që janë gjetur në kutitë e votimit vetëm në 11 njësitë administrative të Tiranës.

Numri më i madh i votave të pavlefshme ka rezultuar në njësit 2, 5 dhe 7, që njihen si bastione të PS-së. Numri i madh i këtyre votave tregon një tendencë të qytetarëve për të djegur votën.

Ajo që është denconuar në media dhe që flitet nën zë në kafenetë e lagjeve, shihet hapur tek këto mesazhe që qytetarët kanë lënë në fletën e votimit të zgjedhjeve njëpartiake.

Shantazhet me heqje nga puna nëse nuk voton, përvetësim të kartave të identitetit, ryshfete dhe së fundmi trendi i ri, tejkalimi i fletëve të votimit në kuti në krahasim me numrin e votuesve, janë të qarta si drita e diellit në këto fletë të pavlefshme votimi.

Në fakt, këto fletë votimi janë fletët më me vlerë të gjithë këtyre zgjedhjeve të pashoqe. Në këto fletë shihet qartë revolta e qytetarëve ndaj klasës politike shqiptare. Lodhja e tyre nga gjuha e drunjtë dhe retorika boshe e ‘papagajve të foltoreve’, që përsërisin vazhdimisht të njëjtat gjëra.

Shihet indinjata e tyre ndaj politikanëve të rinj që janë copy paste e të vjetërve.

Shihet mungesa e lirisë për të denoncuar hapur, por edhe një ndërgjegje nën këtë zhgun frike për të bërë gjënë e duhur.

Këto fletë janë shumë të vlefshme veçanërisht për Partinë Socialiste, pasi janë pikërisht votuesit socialistë ata që e kanë zhvlerësuar këtë parti më 30 qershor, duke treguar hapur se ka ardhur koha që forca e tyre përfaqësuese më në fund të rilindë.

Të fundit