Flash News

KRYESORE

FMN: Qeveria të kufizojë PPP me propozime të pakërkuara

FMN: Qeveria të kufizojë PPP me propozime të pakërkuara

Shefi i Misionit për Shqipërinë të Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka bërë apel qeverisë në lidhje me shërbimet publike duke i kërkuar t’i ndalë ato.

Në përgjigjen zyrtare që FMN i ka dhënë News24 lidhur me Projektet e Partneritetit Publik Privat, Jans Kees Martijn deklaron se është nevoja që qeveria të vendos prioritetet që i nevojiten vendit për investimet publike.

Sipas tij, duhet të jetë qeveria ajo që e vendos axhendën e prioriteteve të saj bazuar në strategjitë kombëtare dhe sektoriale, si dhe që nevojat për investime janë prioritizuar si brenda të njëjtit sektor ashtu dhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe që projektet janë vlerësuar bazuar në një set kriteresh të qarta dhe i janë nënshtruar një analize të vlerës (që sjellin) për paratë (e investuara).

FMN është shprehur kritik në përgjithësi ndaj PPP-ve. I pyetur nga News 24 në lidhje me miratimin në parlament të disa ditëve më parë të dhënies me partneritet publik privat të dy askeve rrugore shumë të debatuara, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, Martijn tha:

“Në vitet e fundit Shqipëria është mbështetur gjithnjë e më shumë në përdorimin e PPP-ve për të financuar nevojat e veta për investime dhe për të ofruar shërbime publike. Duke qenë se stoku i PPP-ve vazhdon të rritet, është e rëndësishme që qeveria të ekuilibrojë oportunitetet dhe rreziqet që PPP-të sjellin, jo vetëm në vitin aktual buxhetor, por për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës.

Pa hyrë në detajet e projekteve individuale, ajo që ne shohim është nevoja për të pasur një kuadër më të integruar për investimet publike. Kjo do të thotë që duhet të jetë qeveria ajo që e vendos axhendën e prioriteteve të saj bazuar në strategjitë kombëtare dhe sektoriale, si dhe që nevojat për investime janë prioritizuar si brenda të njëjtit sektor ashtu dhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe që projektet janë vlerësuar bazuar në një set kriteresh të qarta dhe i janë nënshtruar një analize të vlerës (që sjellin) për paratë (e investuara). Aktualisht, PPP-të nuk i nënshtrohen të njëjtit procesi dhe nuk janë të harmonizuara me ciklin buxhetor, si projektet e tjera të investimeve.

Për më tepër, mbështetja e tepërt në propozime të pakërkuara do të thotë që disa projekte mund të zënë hapësirën buxhetore në të ardhmen pa iu nënshtruar procesit të prioritizimit më parë. Kufizimi i hapësirës për përdorimin e propozimeve të pakërkuara në të ardhmen është një zhvillim i dobishëm. Në mënyre ideale, qeveria duhet të bazohet gjithmonë në një proces prokurimi të hapur dhe konkurues”, tha shefi i misionit për Shqipërinë.

Ai foli gjithashtu edhe për rritjen ekonomike, sipas të cilit u ndikua negativisht në sektorin e energjisë. Martijn tha se të dhënat e radhës do të publikohen në tetor, dhe më pas një mision i FMN do të vizitojë Tiranën.

“Ne gjithmonë i rishikojmë parashikimet tona sa herë dalin të dhëna të tjera. Ne e rishikuam parashikimin për rritjen në 2019 në nivelin 3.5% në raportin tonë të qershorit. Që nga ajo kohë ne kemi mësuar për normën e rritjes ekonomike në tremujorin e parë, e cila u ndikua nga zhvillime jo të favorshme në sektorin e energjise elektrike dhe nga një mjedis i jashtëm më pak i favorshëm në partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Rifreskimi ynë i radhës do të publikohet në tetor, dhe më pas një mision i FMN-së do të vizitojë Tiranën përsëri në nëntor për të kryer konsultimet e përvitshme në kuadër të Artikullit IV. Atëhere në do të shikojmë zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe do të rifreskojmë edhe parashikmet tona”, tha Martijn.

Të fundit