Fondet për tërmetin, PD: Qeveria nuk prek 150 mln dollarët e koncesioneve, por heq investimet për shkollat dhe spitalet

Partia Demokratike akuzon qeverinë se në planifikimin e ri buxhetor për rimëkëmbje pas dëmeve të tërmetit të vetmit që janë të paprekshëm janë fondet e planifikuara për koncesionet dhe oligarkët.

Në një deklaratë për mediat, Shefi i Kabinetit të PD, Dorian Teliti thekson se 150 milionë dollarë për PPP-të nuk preken nga buxheti, por është vendosur të ketë rreth 30 milion dollarë shkurtime në sektorët kyç si shëndetësi, arsim apo edhe infrastrukturë.

“Janë plot 150 milion dollarë që janë parashikuar për PPP-të e miqve të qeverisë që nuk preken nga buxheti, pavarësisht situatës së emergjencës dhe nevojës për rimëkëmbje pas dëmeve të tërmetit, ku me mijëra qytetarë vazhdojnë të enden nëpër çadra dhe të pashpresë.

Edhe pas tërmetit, në planifikimin e ri buxhetor të kësaj qeverie, të vetmit që janë të paprekshëm, janë oligarkët e Ramës, ndërkohë që këtë vit është parashikuar të kryhen të paktën 30 milion dollarë shkurtime në sektorët kyç si shëndetësi, arsim apo edhe infrastrukturë, para’ këto që duheshin shfrytëzuar së paku për të rikuperuar dëmet e shkaktuara në shkolla e spitale në zonat e prekura nga tërmeti”, shprehet Teliti.