Flash News

KRYESORE

Foto/ Me snajpera dhe forca speciale, ‘blindohet’ Shkodra pas mbledhjes urgjente të opozitës

Policia dhe forcat speciale kanë zbarkuar në Shkodër, menjëherë pas alarmit që dha opozita e bashkuar për ngjarjet kriminale të ndodhur së fundmi.

Një aksion blic ka nisur që në orët e para të mëngjesit, konkretisht në fshatin Dobraç, në lagjen Rus dhe Kiras.

Siç duket edhe nga fotot, e gjithë zona është ‘blinduar’, me snajperistë, autoblinda në rrugë, si dhe FNSH, RENEA dhe forcat operacionale nga Tirana.

Policia ka kryer kontrolle në disa banesa pas ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura në tre muajt e fundit, ku përgjatë kësaj kohe janë kryer 6 vrasje, ndërsa dy persona rezultojnë ende të zhdukur.

Ende nuk dihet nëse ka të arrestuar nga ky operacion, por policia pritet të dalë me një komunikim zyrtar në orët në vijim.

Kujtojmë, që të hënën e kësaj jave, opozita e bojkotoi Kuvendin në nisje të sesionit të ri, si një mesazh qëndrese ndaj krimit që ka goditur Shkodrën.

Në fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Shkodra po përjeton situatën më të rëndë kriminale të 27 viteve demokraci dhe se në më pak se tre muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer dy persona.

 

Të fundit