Flash News
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Fotoreportazh/ Kopshti Zoologjik: Si është në të vërtetë dhe si përshkruhet në faqen e Bashkisë
Jona Kazani
Kopshti Zoologjik në Tiranë është hapur në vitin 1966 dhe ndodhet në pjesën perëndimore të kryeqytetit me një sipërfaqe prej 5.97 ha, nga të cilat 1.3 ha janë sipërfaqe ujore.
Pasi kalon urën e Liqenit Artificial, duket fare qartë hapësira e Kopshtit Zoologjik, ku pretendohet që vizitorët të shikojnë nga afër një sërë kafshësh të egra.
Te porta e madhe e rrethuar me hekura të zinj ndodhet roja, dhe 1 metër më tutje ndodhet një shtëpizë e vogël prej druri ku pritet bileta.
Në dizajnin e gjelbër të biletës ndodhet edhe “rregullorja” që duhet të zbatosh gjatë vizitës në këtë park.
Aty thuhet se ndalohet ngacmimi i kafshëve, ushqyerja e tyre, si edhe lazerat apo dritat e forta, ku përfshihen edhe blitz-et e celularëve kur bën foto. Kjo pasi sipas tyre kafshët reagojnë ndaj dritës dhe agresohen.
Përveç dëshirës për t’i parë, për vizitorët, sidomos për ata që vijnë nga qyteti, është e pranishme edhe frika nga këto kafshë të “egra”. Por, teksa afrohesh për te kafazi i parë ku ndodhet ariu, përveç trupit të tij të madh, nuk është se shikon ndonjë rrezik agresioni. Madje duket edhe më i urtë se një kafshë shtëpiake. I burgosur në muret dhe hekurat e ftohtë të kafazit, ai hedh putrat gjigante në dyshemenë me pllaka të vjetra dhe i bie ambientit rreth e qark. Afrohet ndonjëherë e shikon, por sikur nuk gjen ndonjë gjë interesante dhe largohet sërish të bëjë ritualin e përditshëm. Më tutje, ngjitur me kafazin e ariut, ndodhen dhe tre kafaze të tjerë.
Teksa ecën përgjatë korridorit duhet të mbash dorën mbi hundë pasi ambienti mban një erë jashtëzakonisht të rëndë, aq sa mund të të provokojë të vjella. Brenda kafazeve është shum pis. Mbetjet e ushqimit në proces dekompozimi kanë krijuar një ajër tepër të rëndë dhe mizat sillen në tufa rreth trupit të kafshëve.
Te kafazi i parë ka dy ujqër që rrinë të strukur në gjumë dhe nuk lëvizin.
Tek i dyti është vetëm një ujk me qime të kafenjta, i cili duket më i shëndetshëm se dy të tjerët dhe përpëlitet kokulur teksa mundohet të gjejë një copë mishi në kockën e madhe që i kanë hedhur.
Fill pas tij, në kafazin e tretë ndodhen tre ujqër të tjerë, të cilët duket më të vegjël. Trupi i tyre i dobët dhe me qime të murrme të bën të ndihesh keq. ‘Si për gjynah’ iu është hedhur një tjetër copë kocke që ata pasi e kanë nuhatur duket se e kanë lënë mënjanë. Rrinë afër njëri-tjetrit dhe shikojnë me kuriozitet. Tingëllon çuditshëm kur e thua, por sytë e tyre duken shumë të pafajshëm dhe të japin përshtypjen se nga ata s’të gjen kurrfarë rreziku. Më shumë sesa kafshë të egra, ata ngjajnë me ‘qentë e Bashkisë’ që të ndjekin me sy për t’u hedhur ndonjë gjë për të ngrënë.
Më tej, ndodhet një kafaz shumë i madh bosh. Aty ka ca drurë të mëdhenj e ca kova të palara që, si duket dikur kanë shërbyer si mbajtëse uji për kafshën që ka qenë aty. Referuar trungjeve, me shumë mundësi në këtë ambient ka qenë ‘i burgosur’ një majmun, i cili mund të ketë ngordhur ose nga uria ose nga vetmia.
Pas këtij, ndodhet një ‘qeli’ tjetër e madhe, të cilës për t’u mos u dukur bosh i kanë sjellë disa shpendë si pula, rosa etj, në një kohë kur jashtë ka plot vend të përshtatshëm për to.
Ngjitur me kafazin e këtyre shpendëve, ndodhet një tjetër kafaz i madh bosh, dhe pas tij ‘shtëpia’ e dhelprës. Dhelpra, në fabulat tona të fëmijërisë, ka qenë gjithmonë personazhi i zgjuar dhe dinak, e aftë t’u shpëtonte situatave. Por, e mbyllur në kafazin e madh e errët ku drita e ka shumë të vështirë të depërtojë, kjo kafshë ka filluar të bëjë lëvizje autike. Ajo lëviz sa para mbrapa me të njëjtin ritëm, a thua se e ke kurdisur.
“Luksi” në këtë park iu përket vetëm shpendëve, të cilët ndodhen me shumicë rreth e qark. Mjellma, pata, rosa, që notojnë në ujërat e ndotur dhe me erë shqetësuese të Liqenit të Thatë. Diku aty në kopsht ndodhen edhe disa lepuj të butë, të bardhë me sy të kuq dhe të murrmë, të cilët përtypin fijet e barit dhe rrinë strukur me njëri-tjetrin.
Pasi ecën një copë rrugë anës liqenit, në të djathtë ndodhet një zonë e hapur e rrethuar me hekura, ku ndodhet një buall i zi që rri i vetmuar në një cep, dhe disa lama që vërdallisen e pushojnë të lumtura në dyshemenë ku pllakat e mermerit kanë zënë myshk.
Në afërsi të kësaj rrethine, ndodhet edhe një ambient tjetër më i vogël, ku gjenden të rrethuar dy strucë. Dy shpendë gjigantë që, të zemëruar nga shikimet e vizitorëve, fusin kokën në vrimat e mëdha të rrjetës së çeliktë dhe përpiqen të çukisin me sqepin e tyre të trashë e të fortë.
Në cepin më të skajshëm të kopshtit, ndodhet edhe kafazi i fundit ku prehen dy arinj të tjerë. Ashtu si dhelpra, edhe ata bëjnë disa ecje të përsëritura duke i rënë kafazit rreth e qark. Herë-herë afrojnë hundën te hekurat duke nuhatur dhe më pas vazhdojnë ritualin. Në dyshemenë e arinjve nuk ka ushqim dhe ata duken të shëndetshëm, ndoshta edhe vetëm për shkak të gëzofit të dendur ngjyrë kafe.
Jo vetëm këto kafshë, por edhe ambienti i kopshtit ngjan si i burgosur. Rreth tij, në vend të hekurave ndodhen ndërtesa të larta e vila luksoze që i bëjnë pemët e pakta të duket mikroskopike.
Teksa largohesh, kujtohesh se nuk pe as luanin, as zebrën, as shqiponjën dhe as majmunin. Kafshë të cilat janë të pranishme vetëm në përshkrimin e faqes zyrtare të Bashkisë, ku jepet përshkrimi i Kopshtit Zoologjik.
Gjendja mjerane në të cilën ndodhet dhe ato pak kafshë të burgosura në kafaz, e shpjegon më së miri mungesën e atyre që nuk janë.