Franca kundër hapjes së negociatave, Rama takon ish presidentin francez Sarkozy në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka pritur ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy në Tiranë në zyrën e tij, ku dhe i ka treguar pikturat që ka realizuar vetë. Sarkozy ka lënë edhe shënimin e tij në librin e shënimeve.

“Me mikun e çmuar, Presidentin Nicolas Sarkozy, në selinë e Kryeministrisë”, shkroi Rama bashkangjitur videos të postuar në Facebook.

Sarkozy ndodhet në Shqipëri, pasi bashkëshortja e tij kantautorja dhe modelja e njohur, Carla Bruni, mbrëmjen e sotme, ka zgjedhur t’i paraqitet për herë të parë publikut shqiptar me 11 këngë të albumit të saj më të fundit. Ajo ndodhet në Shqipëri në kuadër të Ditës së Festës së Muzikës ku do të këndojë në Teatrin Antik të Butrintit.

Franca është një nga vendet që heziton që Shqipëria të çelë negociatat për në BE. Sarkozy, edhe pse tanimë është një politikan i tërhequr, sërish ngelet një figurë me peshë në vendin tij. Ndoshta Rama mund t’i kërkojë të futet mik që edhe te kundërshtarët e Shqipërisë, ai të mund t’ua ndryshojë mendimin.