Flash News

KRYESORE

Frangaj, Blushi, Hysenbelliu dhe Bollino ulen bashkë dhe dalin me disa kërkesa për Qeverinë e Ramës

Drejtuesit e mediave private në Shqipëri janë mbledhur sot në Autoritetin e Mediave Audiovizive ku kanë dorëzuar një draftligj. Të pranishëm në takim ishin Aleksandër Frangaj (Tv Klan), Ben Blushi (Top Channel), Irfan Hysenbelliu (News 24), Ilva Tare (Ora News), Carlo Bollino (Report Tv) dhe disa drejtues të tjerë televizionesh.

Drejtuesit e TV kanë kërkuar miratimin nga Parlamenti të projektligjit të ri për mediat, që sipas tyre i bën ato të pavarura nga ndikimi i Qeverisë. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që Qeveria të shpërndajë falas për të gjithë qytetarët dekodera ku mund të ndjekin kanalet pa pagesë.

Zgjidhje sipas kreut të AMA-s, Gentian Salaj, pritet të marrë edhe çështja e reklamave dhe ajo e pagave të gazetarëve.

Aleksandër Frangaj: Pas fikjes së transmetimeve analoge në disa prej qarqeve të Shqipërisë si në Berat, Korçë, Fier, përqindja e popullsisë që ka marrë aparat për të ndjekur transmetimet digjitale është jashtëzakonisht e ulët, as 5 për qind. Parashikohet në këtë ligj që nëpërmjet tarifës së përdorimit të aparatit televiziv, një përqindje e saj e caktuar të shkojë për pajisjen me dekodera falas për të gjithë qytetarët e këtij vendi.

Ben Blushi: Ky ligj i rrit pavarësinë televizioneve private ndaj çdo lloj qeverie, kushdo qoftë ajo, ditën që hyn në fuqi. Sepse qeveria, sipas ligjit, nuk do të ketë kurrë diskrecion, apo fuqi, apo hapësirë, për të përcaktuar mënyrën se si do të ndahet fondi.

Ilva Tare: Unë në fakt dua të flas në emër të administratorit Ndroqi dhe të bordit drejtues të televizionit, të cilët janë plotësisht mbështetës të këtij pr/ligji. E shohin si një mundësi për të rritur cilësinë në transmetim, në raportim pse jo edhe besueshmërinë e televizioneve, mediave informative.

Irfan Hysanbelliu: Është tepër i vonuar duhet të ishte bërë më përpara dhe duhet të kërkojmë dhe pr/ligje të tjera që t'i shërbëjnë konkurrencës së tregut.

Carlo Bollino:Brenda ligji ka parashikuar një mbrojtje të veçantë për teleshikuesit që janë dëmtuar nga lajmet falso.

Të fundit