Flash News

KRYESORE

Frika e kryeministrit të Pakistanit: Në Kashmir, rrezikon të ndodhë një tjetër Srebrenicë

Frika e kryeministrit të Pakistanit: Në Kashmir, rrezikon të

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është shumë i shqetësuar për situatën në Kashmir. Ai i trembet një spastrimi etnik të myslimanëve në këtë vend, njësoj siç ndodhi 24 vite më parë në Srebrenicë. "A do të vëzhgojë bota në heshtje masakrën dhe spastrimin etnik të myslimanëve në Kashmir, ashtu siç bëri me Srebrenicën," shkroi ai në Twitter.

Në një tjetër mesazh, ai ia bëri të qartë botës se nëse diçka e tillë do të ndodhë, atëherë kjo do të sjellë me vete cikle dhune.

"Dua të paralajmëroj bashkësinë ndërkombëtare që nëse lejohet të ndodhë, ajo do të ketë pasoja të rënda dhe do të provokojë reagime në botën myslimane duke shkaktuar radikalizëm dhe cikle dhune", shtoi ai.

Përplasjet verbale mes Indisë dhe Pakistanit shtohen nga dita në ditë. Më 5 gusht India e revokoi autonominë e pjesës së administruar prej saj në Kashmir. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se masa do të lejojë që Nju Delhi të heqë qafe rajonin e "terrorizmit dhe separatizmit".

Të dyja shtetet kanë pretendime territoriale për këtë rajon. Frika është e madhe për një përshkallëzim të situatës, ndërsa si India, ashtu edhe Pakistani kanë në zotërim armë bërthamore.

Që nga 14 shkurti i shkuar, ka pasur një sërë incidentesh, që kanë acaruar gjendjen mes të dyja shteteve.

Të fundit