Flash News

OP-ED

Frikë apo mësime nga Kukësi?

Frikë apo mësime nga Kukësi?

Lazer Stani

Në mbledhjen e të Shtunës, kryeministri Edi Rama, deklaroi para asambleistëve të partisë së tij se kishte nxjerrë një mësim shumë të madh nga protesta e qytetarëve  të Kukësit. Që një kryeministër të nxjerrë mësime nga gabimet dhe mbrapshtitë e tij, sigurisht përbën një lajm të mirë, se në fund të fundit, askush nuk dëshiron një qeverisje të keqe, të korruptuar,  të kriminalizuar, një qeverisje që zhvat qytetarët dhe abuzon me taksat tyre. Po cili ishte mësimi që kishte nxjerrë z. Kryeministër?

Këtë e shpjegon, pak a shumë, po vetë. Ai tha se nuk duhej përsëritur më gabimi “që, duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin, të gjendesh përballë një reagimi që në fund fare të lë në ballë etiketën e arrogantit”.  Pra, sipas kryeministrit Rama, çdo vendim i qeverisë në të ardhmën duhet shoqëruar me propogandë intensive që njerëzit të manipulohen, të ulin kokën dhe të pranojnë pa mëdyshje vendimet “qëllimmira” të qeverisë.

Ky pra është mësimi, që pas shumë vramendjeve, ka nxjerrë kryeministri nga protesta dinjitoze e qytetarëve të Kukësit, që me kurajon e tyre civile, u bënë një shërbim të madh qytetarëve të të gjithë Shqipërisë: u vranë atyre frikën, atë frikë që qeveria është përpjekur ta mbjellë më kujdes në çdo celulë të shoqërisë shqiptare, nga familjet e varfëra, ekzistenca e të cilëve varet nga fondi i mjerë i ndihmës ekonomike e deri në Akademinë e Shkencave. Dhe, mbi tëgjitha, frikën që kryeministri Rama është përpjekur t’u ngjallë qytetarëve prej pesë vitesh, qytetarët e Kukësit e kthyen në frikë dhe makth për vetë qeverinë.

Ky është i vetmi “mësim” që ka nxjerrë kryeministri: Të kesh frikë nga qytetarët që tashmë kanë vrarë frikën e tyre. Tjetër mësim, kryeministri as ka nxjerrë dhe as do të nxjerrë nga gabimet dhe mbrapshtitë e tij të përsëritura gjatë ushtrimit të pushtetit prej nëntëmbëdhjetë vitesh, si ministër Kulture, kryetar Bashkie i kryeqytetit dhe Kryeministër.  Por, a do ta ndryshojë kjo frikë nga qytetarët e çliruar nga frika kryeministrin? Aspak. Prapë do të kemi të njëjtën qeverisje me histori koncensionarësh, kullash, oligarkësh, trafiqesh, abuzimesh e zhvatjesh nëpërmjet taksave, por më të kamufluar e të veshur më mirë me propogandë. Me etiketën e pashlyeshme : “Made in Arroganca.” Ose më saktë:  “Made in Rama!”

Të fundit