Ftesa ‘surprizë’ e Metës për Soros-in, mesazhi i fortë ndaj miliarderit dy ditë pas 30 qershorit: Jam racë e Avni Rustemit

Përplasja e presidentit Ilir Meta me shumicën qeverisëse ka nisur të thellohet edhe më shumë që pas debateve për anëtaren e dytë për Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa ka paralajmëruar prova ‘përvëluese’ dhe padi të reja jo vetëm për kreun e Këshillit të Emërive në Drejtësi, Ardian Dvorani, por edhe ndaj zyrtarëve të tjerë, një tjetër lëvizje ‘surprizë’ ka qenë edhe ftesa për takim me përfaqësues të Fondacionit të Shoqërisë së Hapur ‘Soros’ në Shqipëri, krahas asaj për opozitën e bashkuar.

Por, kjo ftesë për javën që vjen, ka qenë befasuese pas deklaratave të forta të presidentit ndaj miliarderit Soros 4 muaj më parë, konkretisht dy ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Duke kujtuar këshillën e Victor Urban, kryeministri i Hungarisë se duhet bërë kujdes prej Soros-it, Meta iu drejtua këtij të fundit se nuk rrjedh nga raca e ish kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, por është politikan i racës së Avni Rustemi, e Mic Sokoli.

“Kam dy fjalë për miliarderin Soros, ju uroj jetë të gjatë, suksese dhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri, t’i gëzojë miliardat, Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit, Jam i racës së tipit Avni Rustemi, Mic Sokolit, Vojo Kushi”, u shpreh Meta.

Aktualisht situata është mjaft e tensionuar midis dy institucioneve, Presidencës dhe Parlamentit, me kreun e shtetit që ka kërcënuar se me një dekret do ta shpërndajë kuvendin, apo me një mocion mosbesimin rrëzimin e qeverisë.

Takimin me opozitën e bashkuar, Meta e kërkoi mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019. Ndërkohë që pritet që edhe takimi me këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë të kryhet përpara kësaj date.