All - Scripts - 4
All - Scripts - 5

Flash News

Desktop - General - 1

OP-ED

‘Fundi i marrëzisë’ si përqeshje e popullit, ose rasti kur qeveria sillet si bandë

‘Fundi i marrëzisë’ si përqeshje e popullit, ose
All - Paragraf - 1

Alfred Lela  

All - Paragraf - 3

Kur Sajmir Tahiri dhe Edi Rama bënë publike idenë e heqjes nga qyteti të kazinove, kundërshtarët e tyre përtypnin hidhërimin e e një lëvizjeve inteligjente populiste, që do i bënte socialistët të dukeshin mirë në sytë e publikut. Mediat pro qeverisë i trajtuan si çibane që duheshin hequr nga trupi i qytetit, pasi degjeneronin rininë dhe shkatërronin familjen. Ndonjë anti-qeveritari, që shihte hile te lëvizja e qeverisë Rama, të njëjtat media, bashkë me kryeministrin, i përgjigjeshin: ‘helbete, X e ka pak si shumë qejf bixhozin’.

Shqetësimin më të madh e përjetoi grupi i biznesmenëve të lojrave të fatit, i cili pa t’i rrëshqisnin nga duart miliona euro; një pjesë syresh, të njohur si problematikë me ligjin dhe me famë si ‘të fortë’.

Opozita, dhe një pjesë e analistëve politikë, argumentonte se qeveria nuk po ndërmerrte një aksion me prapavijë sociale, por po ndërhynte në luftën e klaneve të lojrave të fatit.

Shtatë vjet më vonë, me një ligj të së njëjtës qeveri, pa konsultime, pa shpjegime, pa dëgjesa dhe as sqaresa, është vedosur kthimi i pikave të lojrave të fatit në akset kyçe të kryeqytetit. Pak a shumë, siç kanë qenë para ‘Fundit të marrëzisë’.

Drama sociale që solli herën e parë, kur u ideua si reformacion që do të fuste shoqërinë në rrugët e mbrothësisë, duke shkaktuar një trazim, jo aq për biznesmenët, sa për punonjësit që mbanin familjet me ato pakorroga, po rikthehet si farsë.

Dyshimi është në kapacitet e së vërtetës, kësisoj. Pyetja duhet bërë pa mëdyshje: a mos qeveria, në rastin e parë kur doli me kryqin e drejtësisë dhe shpatën e forcës, ashtu si në rastin e dytë kur uli kryqin, shpatën dhe nderin, nuk kish asgjë më shumë në mend dhe në zemër se thesin. Atë thes emblematik të grabitqarit. Më keq ende, a mos nuk është, qeveria jonë, asgjë më shumë se një bandë, në luftë për të kapur territoret e lakmuara të fitimit të kazinove, apo siç quhen ndryshe ‘lojrat e fatit’?

Askush nuk e zotëron një ‘makinë të së vërtetës’ për ta thënë këtë me vendosmëri të katërciptë, por a nevojitet një dëshmitare e tillë? Kur një qeveri bën veprime të tilla ‘të çuditshme’, ose është e pazonja, ose e çmendur ose bandite.

Për fatin tuaj të keq, në të tri rastet nuk e pëson qeveria, por ju. Duke qenë se nuk është hera e parë që qeveria j’ua hedh, faji nuk është i saj, por juaji.

E dini se çfarë thonë për hiletë: ma hodhe një herë, turp për ty; ma hodhe të dytën, turp për mua.

Secili i numëron për vete herët që ja kanë futur.

Herët kur qeveria e ka luajtur fatin tuaj në kazinonë e interesit të vet. Me shpenzimet tuaja.

Të fundit