Flash News

KRYESORE

Fushatat korrigjuese të Ramës dhe Bashës

Fushatat korrigjuese të Ramës dhe Bashës

Alfred Lela

Kryeministri dhe pretendenti për kryeministër i kanë shtyrë motorët e fushatës rrugëve të Shqipërisë, njëri në një betejë luksi dhe tjetri mbijetese. Fatet e dy krerëve politikë janë dhe përjetohen të ndryshme: Rama synon mandatin e tretë, ende të pambërritur nga asnjë shef partie shqiptare në paskomunizëm, ndërsa Basha kërkon mandatin e parë, mosarritja e të cilit do t’ia vështirësonte jetën në krye të PD.

Edhe komunikimi në fushatë e reflekton gjendjen e secilit. Rama ka nisur që, përveç ironisë së zakonshme për kundërshtarin dhe sigurisë së fitores, të emëtojë tone korrigjuese. Për shembull, ai premton si të ishte në opozitë, duke ofruar ulje taksash rritje rrogash e refleksione të tjera opozitare. Parabola e drejtë e fushatës së Ramës do të kishte qenë: kemi bërë x dhe y gjë deri në këtë masë; na duhet mandati i tretë për t’i përmbyllur. Nuk ndërrohet kali në mes të udhës, etj.

Fushata që bën kryeministri refkekton gjërat që ai nuk ka mundur apo ditur të bëjë.

Në anën tjetër pret një fushatë paradoksalisht korrigjuese. I targetuar për shumë ‘denoncime’ dhe pak ‘propozime’, kryetari i Partisë Demokratike e ka mbingarkuar agjendën me këto të fundit. Për shembull, ngjan paradoksal propozimi i tij për një paketë milona euroshe anti-Covid kur gjasat janë që deri kur të vijë partia e tij në pushtet do të ketë mbërritur shtatori 2021 bashkë me vaksinën. Ky impenjim i Bashës për të propozuar zgjidhje që nuk mund të jenë të tij duket sikur është dizajnuar për të ndrequr Ramën dhe qeverisjen e tij.

Skica elektorale: Ofro një Bashë propozues dhe jo vetëm denoncues, duket se ka qenë këshilla e grupit të pr-it të tij. Mund të vërehet se si barrën e denoncimeve e kanë marrë përsipër vartësit, duke e kthyer Bashën në një poster boy të vullnetit të mirë.

Ka një problem te kjo qasje, megjithatë: elektorati nuk kërkon dikë që të korrigjojë Ramën, por që ta zëvendësojë atë; Rama nuk është personazhi i socrealizmit që pasi ndreqet me ndihmën e shokëve, kupton gabimin dhe vazhdon rrugën. Ai është ‘personazhi negativ’, ky është pretendimi i Bashës dhe të tijve, që duhet zhbirë.

Fushata korrigjuese mund ta shpërfaqë Bashën si djalë të mirë, por normalizon edhe Ramën. Veç kësaj, me kaq shumë profile sa ç’i ka ofruar publikut Basha dhe këshilltarët e tij, askush nuk e di më se çfarë është çfarë dhe cilin të zgjedhë.

Rreziku i kësaj? Të zgjidhet edhe njëherë ‘e keqja’ me të cilën jemi familjarë, përkundër disa profileve kontradiktore të ‘së mirës’ që çojnë në mosnjohje dhe moskuptim.

Të fundit