Flash News

KRYESORE

Futbolli shqiptar në zi, "Daja" ndahet nga jeta

Futbolli shqiptar në zi, "Daja" ndahet nga jeta

Dita e sotme nis me një lajm mjaft të keq, pasi është ndarë nga jeta, legjenda e sportit shqiptar, Miço Papadhopulli. "Daja" siç e njihnin të gjithë mbylli sytë në moshën 86-vjeçare në Tirana.

Veprimtaria e tij ishte e jashtëzakonshme, pasi në CV shënohen profesionet si futbollist, pedagog në ILKF, drejtues i futbollit, president i FSHF-së, anëtar i Komisionit Teknik në FIFA dhe UEFA.

I lindur më 11 mars 1933, Papadhopulli spikati si një nga mbrojtësit e shquar të Partizanit dhe kombëtares kuqezi. Pati fatin të ishte pjesë e atij Partizani të madh, që fitoi 6 tituj kampioni në 7 vite. Ai ka qenë fitues i medaljeve të argjendta në “Lejpsig 1958” dhe “Hanoi 1963”. Papadhopulli luajti 11 sezone me Partizanin e madh të Rexhep Spahiut dhe më vonë të Loro Boriçit, që nga vitit 1953.

"Daja” dha kontribut të madh edhe në katedër, duke dhënë mësim në ILKF (sot, Universiteti i Sporteve). U ngjit deri në gradën profesor-doktor. Është autor i disa librave për futbollin dhe ka nxjerrë dhjetëra breza studentësh në shkollën e futbollit.

Ai pati mundësinë t’i provojë të gjitha në jetë: nga të rinjtë te Partizani, pastaj te kombëtarja, shef teknik i FSHF, përgjegjës i sektorit të futbollit të FSHF, president i FSHF (para nisjes së epokës “Duka”). Ka marrë disa vlerësime e çmime, si “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër i Merituar Sporti” dhe “President Nderi i FSHF”. “Politiko” i shpreh ngushëllimit e sinqerta familjes me rastin e humbjes së njeriut të dashur.

Të fundit