Gafa me hartën e Kosovës, reagon Shahini: S’është i vetmi gabim

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar pas skandalit të publikuar në media se në një hartë të Ballkanit në librin ‘Qytetaria’ për klasën e 8 fillore, Kosova ishte ende pjesë e Serbisë.

Sipas Shahinit, është një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi.

“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”, shkruan Shahini.

Kujtojmë se edhe disa ditë më parë, pati reagime të shumta pasi kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij në Facebook një video ku tregonte hartën e investimeve për sigurimin e furnizimit 24 orë me ujë në zonat rurale të vendit nga veriu në jug, ndërsa ra në sy fakti se në hartën e publikuar Republika e Kosovës figuronte brenda territorit të Serbisë. Pas reagimeve, kjo gafë u korrigjua.