Gafa në Shkup; kancelari i Austrisë pritet me flamurin e Letonisë, Zaev i kërkon falje

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ka qenë sot për një vizitë zyrtare në Shkup të Maqedonisë, por autoritetet atje kanë bërë një gafë që po komentohet shumë në rrjetet sociale.

Protokolli ka ngatërruar flamurin e Austrisë me atë të Letonisë dhe kjo u ra menjëherë në sy gazetarëve të pranishëm në ceremoninë e pritjes që kryeministri Zoran Zaev kishte organizuar për homologun austriak.

Qeveria maqedonase ka reaguar publikisht për ngjarjen dhe i ka kërkuar falje Vienës për këtë ngatërrese të paqëllimshme.

“Qeveria e Maqedonisë i kërkon falje Republikës së Austrisë për lëshimin e paqëllimshëm protokollar gjatë vizitës së kancelarit Sebastian Kurz në Republikën e Maqedonisë. Lëshimi është bërë nga shërbimi për protokoll në Republikën e Maqedonisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ndërkaq deri tek ajo ka ardhur për shkak të ngjashmërisë së madhe në dimensionet dhe ngjyrat e Austrisë dhe Letonisë”, thuhet në reagim.