Flash News

KRYESORE

Gafat më të mëdha të Jean-Claude Juncker

Gafat më të mëdha të Jean-Claude Juncker

Paul Dallison/ POLITICO

Presidenti i Komisionit Europian, në atë që duhej të ishte një paraqitje rutinë në një event të organizuar nga një ‘think-tank’ në Bruksel të enjten, e ktheu në luhatje të tregjeve financiare, duke u detyruar të kërkojë një lloj faljeje.

Kjo është tipike e Jean-Claude Juncker, një njeri që kurrë nuk ka frikë të dalë jashtë pistës dhe të shpërndajë deklarata vrastare. (Shembulli më i fundit ishte kur ai foli në samitin e Këshillit Europian të së premtes: “Unë nuk jam kryeministër britanik, do të ishte mirë për Britaninë nëse do të isha.")

Këto janë disa nga gafat më të mira (ose më të këqija) të Juncker

I shqetësuar për Italinë

Juncker paralajmëroi të enjten se BE duhet të përgatitet për "më të keqen" në Itali pas zgjedhjeve të 4 marsit.  “Ne duhet të bëhemi gati për skenarin më të keq dhe skenari më i keq nuk mund të jetë qeveri operacionale”,  tha ai në një event të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Europiane. Ai paralajmëroi gjithashtu se mund të ketë luhatje të  mundshme në tregjet financiare pas votimit, të cilat shumica e sondazheve parashikojnë të përfundojnë me një 'parlament të varur' (pa shumicë të një ngjyre).

Vërejtjet e shefit të Komisionit duket se patën ndikimin e tyre në tregje: Ndryshimi ndërmjet  obligacioneve 10-vjeçare italiane dhe gjermane, një matës i kostove huamarrëse të Italisë dhe i besimit të tregut në ekonominë italiane, u zgjerua në 138 pikë nga 134 në fillim të ditës.

Më pas, në një deklaratë të lëshuar të enjten, Juncker u përpoq t'i zbuste gjërat. “Cilido qoftë rezultati, unë jam i bindur se do të kemi një qeveri e cila siguron që Italia të mbetet një faktor qendror në Europë dhe në formësimin e së ardhmes së saj”, shkroi ai.

Të premten në mëngjes, kur Juncker  hyri në samit, tha se ai ndjente se ishte "keqkuptuar plotësisht",  por gjithsesi komentet e tij ishin "ngatërrestare".

Mos e përmendni fjalën M

Të mos e thërrasësh Maqedoninë "Maqedoni",  është një gjë mjaft bazike për një udhëheqës të BE. Derisa Greqia dhe fqinji i saj verior të arrijnë një marrëveshje, ajo është zyrtarisht Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Pa gjejeni se kush e harroi këtë  ndërkohë që qëndronte pranë Zoran Zaevit, kryeministrit maqedonas?

“Po takoj presidentë dhe kryeministra nga vendet e Ballkanit Perëndimor",  tha Juncker dhjetorin e kaluar. “Madje si Kryeministër i Luksemburgut isha në Maqedoni ...domethënë në  Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë".

Të paktën e pati mirësinë që të dukej i fandaksur nga gabimi që kishte bërë.

Ngatërroi grun me Merkelin

Një shkarje e dyfishtë (ose një Boris, siç njihet) korrikun e kaluar.

Në një konferencë shtypi në Bruksel me kryeministrin sllovak Robert Fico, zëvendës presidentin e komisionit Maro Šefčoviç, komisionerin europian nga Sllovakia, Nokia e vjetër e Juncker-it tingëlloi.

Juncker hamendësoi se e mori e shoqja në telefon, dhe ndryshe nga ish-kandidati presidencial republikan amerikan, Rudy Giuliani, i cili  iu përgjigj telefonit kur e mori e shqoja në mes të një fjalimi të fushatës së 2007 në Shoqatën Kombëtare të Pushkëve, Juncker ia mbylli telefonin. Por ai shpejt kuptoi se nuk ishte gruaja ajo që mori, por kancelarja gjermane Angela Merkel, së cilës ai i kishte mbyllur telefonin.

I quajti deputetët “qesharakë”

"Qesharak" është një fjalë që shumë e kanë përdorur për të përshkruar Parlamentin Europian. Është më e pazakontë ta dëgjosh atë nga një President i Komisionit duke folur në Parlament.

Në korrik  të 2017, Juncker akuzoi Parlamentin Europian se ka treguar një mungesë respekti për vendet më të vogla, pasi vetëm një numër i vogël deputetësh u paraqitën gjatë një fjalimi nga të kryeministrit maltez.

"Unë përshëndes ata që kanë marrë përsipër të jenë të pranishëm", tha Juncker furishëm në dhomën kryesisht boshe në Strasburg. "Parlamenti Europian është qesharak, shumë qesharak",  shtoi Juncker. “Fakti që rreth 30 deputetë janë ulur në këtë debat është e mjaftueshme për të treguar se Parlamenti nuk është serioz ".

Kjo nxiti një përplasje shumëgjuhëshe me Presidentin e Parlamentit Antonio Tajani, i cili i nevrikosur e mbrojti Parlamentin, duke thënë se ai e kontrollonte Komisionin jo anasjelltas. Së pari, Tajani i kërkoi Junckerit në italisht: "Ju lutem, silluni me respekt".

Juncker, i cili po fliste i zemëruar me duar e me gojë, nuk donte t'ja dinte. 

“Janë vetëm pak deputetë ", i tha ai Tajanit, duke folur sa anglisht e sa frëngjisht. "Ka vetëm disa anëtarë në plenare për të kontrolluar Komisionin. Ju jeni qesharakë! Unë dua të falënderoj Maltezin ".

I pazoti për të mbajtur mend kryeministrat e Rumanisë

Me sa duket shumica e rumunëve tashmë kanë qenë kryeministra të vendit të tyre. “Viorica Dăncilă, është kryeministri i pestë rumun që kam pasur kënaqësinë të pres që nga fillimi i mandatit tim”, tha Juncker gjatë një konference të përbashkët për shtyp me mbajtësen e fundit të zyrës së lartë në Bukuresht, e cila mori detyrën muajin e kaluar. “Do të doja që ky cikël të ndalet dhe ajo të qëndrojë më gjatë, sepse po filloj t'i harroj gjithë ata që kam parë”.

Dăncilă është kryeministri i tretë nga qeveria socialdemokrate që kur partia fitoi zgjedhjet parlamentare në dhjetor të 2016.

Sherri me Luksemburgun për taksat

Nëntorin e kaluar, Juncker shkëmbeu goditjet me qeverinë e Luksemburgut lidhur me ngurrimin e saj për të mbështetur një plan taksash të BE-së kundër gjigandëve online si Google dhe Amazon. Juncker i tha Paperjam një gazete luksemburgase se "është një gabim historik që të mos duash të taksosh në nivelet e duhura fitimet e kompanive shumëkombëshe që veprojnë në nivel global dhe nuk paguajnë taksat që i kanë detyrim".

Prit një minutë, a është ky i njëjti Jean-Claude Juncker i cili ishte Kryeministër i Luksemburgut për gati dy dekada dhe nën orën e të cilit Dukati i Madh nënshkroi marrëveshje të ëmbla për taksat me disa nga firmat më të mëdha të botës?

“Çkemi, diktator”

Kryeministri hungarez Viktor Orban nuk është  i preferuari i të gjithë  krahut të djathtë (Senatori amerikan John Mccain e quajti atë një "diktator neo-fashist").

Por, ishte ende më e çuditshme të dëgjoje një lider europian të përshëndetej me fjalët "Përshëndetje, diktator" në një takim në Riga në maj të 2015. Ndërsa përshëndetja e Juncker u kap nga kamerat, përgjigja e Orbanit jo-dhe ndoshta më mirë kështu.

Gjithë ajo puthje

Në të njëjtin takim në Rigë, stili “ledhatues-prekës-puthës” i Juncker, ishte i gjithëpranishëm. Ai takoi një procesion udhëheqësish, duke i “larë” me puthje, përqafime, kapje kravatash dhe madje edhe një fyerje ose dy, në një tako- përshëndet pa të dytë në politikën europiane.

Franca është Francë në reformën buxhetore

Në vitin 2016, Komisioni Europian i dha hapësirë Francës në rregullat fiskale "sepse ajo është Franca", tha Juncker. Në epokën e para-Makronit, kjo nuk u prit mirë në Gjermani dhe anëtarët e tjerë kursimtarë të eurozonës.

Rregullat fiskale të BE kërkojnë një defiçit buxhetor nën 3% të PBB-së. Komisioni në vitin 2015 i dha Francës dy vjet më shumë për të sjellë deficitin e saj nën atë nivel, por Franca nuk arriti ta bëjë këtë.  I pyetur se pse Komisioni kishte bërë një sy qorr ndaj shkeljeve franceze, Juncker i tha TV francez se e bëri këtë "sepse është Franca".

S'ka problem nëse politikanët gënjejnë

Në maj të 2011, ndërsa mbante ende frenat në Luksemburg, Juncker tha në një takim të Lëvizjes Europiane se atij shpesh "i duhej të gënjente" dhe se politika monetare e eurozonës duhet të diskutohet në "debate sekrete dhe të errëta".

T'i biesh POLOTICO-s

Pas referendumit të Brexit, Junckerit  ju kërkua që t'i përgjigjej thirrjeve që ai të jepte dorëheqjne pasi nuk arriti të bindte Britaninë e Madhe për të qëndruar në BE.

“Ju mendoni se shumë besojnë atë që thotë POLITICO. Ky padyshim nuk është rasti”, tha Juncker. Një vit më parë, ai tha se ky i sapoardhur në Bruksel (Politico) praktikonte "gazetarinë-nëpoërmjet vrimës së celësit".

Ndoshta Presidenti i Komisionit as nuk e pranon  asnjë prej incidenteve si gafë. Ose ai mund t'i referohet përkufizimit të gazetarit Michael Kinsley për gafën: “Kur një politikan thotë të vërtetën,  më saktë ai ose ajo zbulon aksidentalisht diçka të vërtetë rreth asaj që po ndodh në kokën e saj/tij. "

 

Të fundit