Flash News

KRYESORE

Gangster me administratën, i vobektë me gangsterët

Gangster me administratën, i vobektë me gangsterët

Gentian Gaba

Në muajin e parë të qeverisë së tij të dytë, Edi Rama vazhdon me gjyqet publike në sallën virtuale të ERtv. Të hënën, në shoqërinë e Niko Peleshit dhe Agim Ismailit, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Kryeministri dhe bashkëfolësit e tij ngjasonin me tri motrat e mitologjisë klasike që pleksin, tjerrin dhe presin fatin e administratës shqiptare. 

Nuk është risi tanimë. E kemi shijuar në mënyrë të përsëritur jakobinizmin e ri të Kryeministrit. Denoncimet e popullit, me popullin dhe për popullin, të frymëzuar nga ëndrra verore e bashkëqeverisjes, i ndoqëm “live” si ekzekutime publike.

Jakobinizmi, për ata që nuk e dinë, është një lëvizje dhe një ideologji politike që ka origjinën në Revolucionin francez. U përhap në një pjesë të gjerë të Europës në një epokë revolucionare që kulmoi në eksperiencën e Komunës së Parisit të 1871.

Sot, kur themi jakobinizëm, nënkuptojmë një zgjidhje radikale dhe të pamëshirshme të problemeve shoqërore. Një kërkesë absolute për barazitizëm, dhe një kundërshti të ashpër ndaj kompromiseve.

I tillë kërkon të duket sot Rama. Një jakobin i orës së parë. I shugurar, nga marrëdhënia e tij e drejtpërdrjet me popullin, si lideri që do të sjellë drejtësi dhe moralitet në gjënë publike, pra në republikën e krimbur nga shefat dhe drejtorat e administratës (që me sa duket  fati deshi që të ishin vetëm dhe gjithmonë të LSI-së dhe PDIU-së).  

Por, ndryshe nga çfarë përpiqet të bëjë dhe tregojë, Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë forcën morale që të zbojë përtacin, xhahilin dhe hajdutin e gjësë publike, pasi ai është një nga anëtarët dhe arkitektët më jetëgjatë të “regjimit të vjetër”. Nuk është as një Danton dhe as një Robespier, por vetë Luigji XVI. 

Palë në sistemin që kërkon të reformojë. Bashkëfajtor sa të gjithë ata që po çon përpara gijotinës mediatike në kërkim të “like-ve” dhe konsensusit. Një jakobin hipokrit që e gjen metaforën e tij te Komuna e Parisit, jo ajo 1871, por tek geto-ja e betonit në qendër të Tiranës. Një katrahurë urbane që kryebashkiaku Rama pikturoi me veprimet dhe mosveprimet zyrtare. 

Kjo lagje është modeli zhvillimor i politikanit që kërkon t’i japë rritje dhe drejtësi Shqipërisë; i zhveshur nga fasada dhe retorika e  “më mirë ikni vetë”, me të cilën kërcënon ata që ishin pjesë e administratës së tij të parë, në thelb mbetet fshesaxhiu që kërkonë të fshijë pluhurin që ka ngritur me duart e veta. 

Furia me të cilën Rama po merret me administratën dikton se ka një frikë për vijimësinë ekonomike dhe politike të vendit. Lepuri në barkun e qeverisë është pasojë e paaftësisë ontologjike të së majtës për të krijuar rritje ekonomike. Masat dhe 100 ditëshat nuk janë reforma, por orvatje e lundruesve që nuk kanë një destinacion të qartë, por e drejtojnë anijen me shikim, me sytë nga bregu.

Paqartësia ose mungesa e planeve ekonomike; deklaratat e forta të Fondit Monetar Ndërkombëtar për rrezikun fiskal që vjen nga PPP-të, dhe detyrimet e prapambetura që kapin vlerën e 120 milionë euro, janë realiteti i hidhur që spektali i shkarkimeve kërkon të kalojë në harresë për disa orë, ditë, muaj e më shumë.

Sjellja si gangster me administratën dhe si i vobektë me gangsterat e Elbasanit, Durrësit dhe Vlorës tregon se gjithë kjo “fshesë” nuk bëhet për të pastruar vendin, por për të liruar vende për ata që do të luftojnë për Kryeministrin betejat e 2019 dhe 2021.

Të fundit