Flash News

KRYESORE

Gara për kryeprokurorin e ri, pse nuk është dorëzuar ende në Kuvend lista e KLP-së

Gara për kryeprokurorin e ri, pse nuk është dorëzuar ende

Ndonëse që prej ditës së enjte të javës së shkuar është zbardhur lista e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me tre kandidatët në garën për postin e kryeprokurorit të përgjithshëm me mandat 7-vjeçar, emrat e tyre nuk i janë dorëzuar ende Kuvendit.

Parlamenti do të jetë ‘dora e fundit’ që do të bëjë edhe votimin për njërin prej kandidatëve të renditur, në bazë të pikëzimeve të grumbulluara referuar aspektit profesional, integriteti, platformat dhe vizionet e tyre për mandatin e kryeprokurorit.

Sipas TCh, shkak për mos dërgimin e listës në Kuvend është bërë fakti se sipas ligjit duhet të kalojnë tri ditë nga dita e shpalljes së saj nga KLP, por dita e parë është cilësuar vetëm e premtja, pasi e shtuna dhe e diela nuk llogariten si ditë zyrtare.

Në kushte të tilla, pritet që lista t’i dërgohet të mërkurën Kuvendit, vetëm në rast se nga asnjë prej kandidatëve nuk do të ketë apelime.

Kujtojmë se në listën e KLP, i pari u rendit prokurori i Krimeve të Rënda, Olsjan Çela me 459 pikë, më pas Arta Marku me 406 pikë dhe e fundit Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Kujtojmë se Kuvendi ka afat 30 ditë nga momenti i marrjes së listës dhe kryeprokurori i ri duhet të votohet me një shumicë votash prej 84 votash.

Të fundit