Flash News

OP-ED

Gaz i botës

Gaz i botës

Gentian Gaba

Teksa mazhoranca vijonte t’i fliste vetes nga foltorja e Parlamentit, pak metra më larg, ish-deputetët e opozitës dhe disa mijëra qytetarë, protestonin për ilegjitimitetin e kësaj seance. Tensioni me të cilën ishte ngarkuar atmosfera prodhoi disa përplasje midis protestuesve dhe policisë të vendosur në mbrojtje të institucionit. Ndodhesha aty pranë në momentin në të cilin konfrontimi përshkallëzoi për shkak të përdorimit intensiv të gazit lotsjellës.

U largova i tërhequr nga lëvizja kaotike e turmës të frikësuar nga mjegulla asfiksuese. Duke shtyrë njëri tjetrin, me sytë e skuqur dhe me frymëmarrje të rënduar, të gjithë kërkonin shpëtim duke u larguar nga kapsollat që çlironin tymin e bardhë. Bashkë me qindra të tjerë, gjetëm strehim në kthesën e parë, pranë së cilës ishte parkuar një makinë policie; efektivët u gjendën të rrethuar nga qytetarët. Të shtangur, punonjësit e rendit shihnin dyshues turmën për të kuptuar qëllimet e saj. Anipse askush nuk ishte aty për t’u marrë me ta. Të gjithë u përkulëm, me duart në brez, për të pështyrë helmin, që bashkë me lotët të linte në qiellzë një shije metalike. Aty pranë ndodhej ish-deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri, e cila, me sytë e pulitur nga lotët, po ndante një shishe uji me një fëmijë që kishte po të njëjtat simptoma.

Pusia nuk mbaroi me kaq. Teksa zëri i Sandër Lleshit kumbonte nëpërmjet altoparlantëve, me një refren që ngjasonte me ato që përsëriteshin në kampet e përqendrimit, edhe pse protestuesit ndodheshin shumë larg prej hyrjes së Parlamentit, hedhja e lëndës kimike vazhdonte. Gazi sundonte të gjithë zonën, duke depërtuar edhe në banesat e kateve të epërme. Në po atë moment u fikën dritat që ndriçonin rrugën. Në panik dhe të pamundur fizikisht për të vijuar qëndresën, pjesa dërrmuese e qytetarëve u largua. Për të ndjekur situatën nga afër, lashë pas meje rrugicën e terratisur për t’ju afruar një dyzine njerëzish që qëndronin në mesin e rrugës George W. Bush. Trupat e rrethuar nga mjegulla e gazit ndriçoheshin nga dritat e qendrës tregtare. Në mesin e tyre njoha Lulzim Bashës, i cili përpiqej të komunikonte në telefon me pjesën tjetër të grupit, tashmë të tërhequr ndanë Lanës. Në atë moment, duke më parë sytë e lëbyrur nga lotët, një grua më ofroi maskën me të cilën po përpiqej t’i rezistonte tymnajës së krijuar. Ishte një maskë antipluhur që refuzova me mirësjellje, duke e mbuluar hundën me jakën e palltos. Zonja ishte bashkëshortja e liderit të opozitës.

Pak momente më vonë do të mbyllej edhe seanca e parë moniste e këtij Parlamenti.

Me rendin politik të shkatërruar, dhe ndërkombëtarët që tashmë janë bërë gazi i botës për shkak të qëndrimeve të tyre hipokrite (por fundja si ta dinë gjermanët që Niçja në Shqipëri është gangster dhe jo filozof!), fati i vendit është në një kapërcyell të frikshëm midis autokracisë dhe demokracisë.

Kthimi i pluralizmit, për të cilin epitafi më i përshtatshëm mund të ishte: “Partia Demokratike e pruri, Partia Demokratike e hoqi”; do të kërkojë përpjekje shumë të mëdha nga ana e opozitës dhe mbështetësve të saj në ditët, javët dhe muajt në vijim.

Jo vetëm se mazhoranca ka vendosur të përqafojë me hare monizmin, duke vijuar pa kurrfarë shqetësimi jetën parlamentare (edhe pse moralisht Parlamenti ka rënë si pasojë e dosjes 339); apo të legjitimoje pa asnjë hezitim vjedhjen e votave, me refrenin “kështu bëjnë të gjithë” (edhe pse kjo mazhorancë e ka çuar këtë fenomen në oktavën më të lartë me përfshirjen në politikë të krimit të organizuar). Por sepse kjo krizë mund dhe duhet shndërruar në një oportunitet për të kryer ndryshime kushtetuese rrënjësore, që të kufizojnë autoritarizmin me të cilin e vesh fituesin e garave elektorale marrëveshja e prillit 2008.

Të fundit