Flash News

KRYESORE

Gazeta e majtë kundër Edi Ramës: Dil hapur, bëhu burrë! E ke ‘vjedhur’ PS-në me ndihmën e Gramoz Ruçit

Gazeta e majtë kundër Edi Ramës: Dil hapur, bëhu burrë!

Gazeta “Dita”, e përditshme me qëndrim editorial të majtë, ka publikuar sot një shkrim ku kritikon sjelljen  e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë.

“Letër e hapur Edi Ramës nga Monteskje”, është titulli kryesor me të cilin është hapur kjo gazetë, ku në editorial i bëhet thirrje e hapur kryeministrit: “I dashur Edi... Dil hapur, bëhu burrë! Mos e përdor më PS-në si koperturë”.

“Për narcizmin dhe vetëpëlqimin që e ke me tepri. Për komunikimin dhe dashurinë për njerëzit që të mungon. Për korruptimin e parimeve, që i le rrugës. Për shpirtin e majtë që nuk e ke patur kurrë. Për poshtërimin e brezit të vjetër dinjitoz të Luftës që të votoi. Për oratorinë ekselente, që në praktikë shndërrohet në dëshpërim. Për delirin e madhështisë dhe kompleksin e Mesias... Për partinë që i vodhe të majtës pa qenë as i majtë e aq më pak socialist...”,- shkruan ‘Dita’.

Më tej në artikull, kryeministri Rama akuzohet se e ka vjedhur Partinë Socialiste me ndihmën e Gramoz Ruçit dhe e ka zhveshur nga idealet dhe ideologjia e majtë e saj.

“Duke realizuar kështu tërësisht në funksion të pushtetit tënd personal si një diktator i vërtetë, por i veshur me kostumin e një liberali të shpenguar. Madje këtij synimi i shërbejnë edhe ndërtimi me koncesione e PPP-të e rrugëve e autostradave si Hitleri, rilindja e qendrave të qyteteve si Musolini, për t’u shpëlarë trurin njerëzve se gjoja lufton për të bërë shtet. Shtet bëjnë burrat e shtetit që mendojnë për të ardhmen e vendit e jo për zgjedhjet e radhës... Lëre mënjanë demagogjinë me popullin dhe hipokrizinë me Partinë Socialiste. Ju që e “vodhët” këtë parti me ndihmën e Gramoz Ruçit, e zhveshët atë edhe nga idealet dhe nga ideologjia e majtë e saj, por në emër të saj shpallët Rilindjen, një organizatë politike eklektike”, shkruhet në editorialin e gazetës.

Gazeta ‘Dita’ është përfshirë në një kurs përplasjesh me qeverinë e Ramës edhe pas denoncimit se gazetari i saj, Xhevdet Shehu, është kërcënuar nga kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, sa i përket debatit për Mid’hat Frashërin.

Të fundit