Flash News

OP-ED

“Gazezarbat”

“Gazezarbat”

Naum Mara

Nuk di se se si është raporti i gazetarëve agresivë dhe gjobaxhinj me gazetarët e përvuajtur dhe të përgjegjshëm në Shqipëri. Eshtë e vështirë ta përcaktosh se, jo vetëm që nuk ka studime të tilla, por edhe ata, që kanë një status gazetari, me diplomë apo jo, janë të panumurt në atdhe dhe nuk është e mundur t’i ndjekësh në veprimtarinë e tyre.

Ishin disa shkrime rreth një gazetari të shqiptarja.com, që më risollën në mendje disa “tregime anekdotike” që kanë të bëjnë  me të ashtuquajturit gazetarë të Tiranës. Atyre ju shtuan sot edhe 25 rreshtat e gazetares Kazhani, që përsëri lidhen me të njëjtën media, shqiptarja.com.

Rasti i gazetarit Adriatik Doçi ndoshta nuk është më tipiku, por është interesant sepse lutjet, sulmet dhe hakmarrjet zhvillohen brenda formacionit të majtë, që është në pushtet.

Një një e-mail drejtuar deputetit socialist Sadri Abazi, për të ndërhyrë pranë drejtores së Arsimit të Kamzës, Ermioni Cekani, për të futur në punë si mësuese gruan e tij, ai shkruan:

“…Babai ka qënë 25 vjet sekretar partie. Xhaxhai im, Ali Doçi, prej 26 vitesh ka qenë dhe është komisioner i PS në komunën Rukaj dhe tashmë në Burrel. Ne si familje ka 26 vjet që mbështesim PS…”

Gazetari vtëm për këtë e-mail duhet të ishte pushuar nga puna. Eshtë thuajse njëlloj, sikur në vitet ’70, një gazetar gjerman të kërkonte favore nga administrata, se i ati kishte patur një pozitë me rëndësi në Partinë Naziste. Diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe ka të ngjarë të mos ndodhë.

Por, i ashtuquajturi gazetar, që mburret me babanë e tij sekretar partie me stazh prej çerek shekulli, nuk ndalet me kaq, por pasi Drejtoresha nuk ia fut gruan në punë, nxjerr gjoksin si njeri i pushtetit të 4-tërt dhe kërcënon Cekanin:

“Nejse, tani nuk më intereson më emërimi i bashkëshortes time. Dua t’ju tregoj shqipëtarëve për dallaveret , që janë bërë brenda dhe jashtë zyrës tënde. Po e  kam personale me ty. Dhe jami vendosur të vijoj deri në fund me rrugët e ligjshme.”

Një kërcënim i tillë, në një vend normal do ishte shkelje penale, që do proçedohej nga Prokuroria dhe do shkonte në Gjykatë, por gjithnjë flasim për një vend normal.

Po cilat quan “rrugë të ligjshme” Doçi, që në fillim kërkonte një ndërhyrje partiako-biografike (jo të ligjshme) për një vend pune?

Të shkruajë në gazetën ku punon apo të denoncojë në Prokurori për “dallaveret” e

Cekanit?

Kolegia e Doçit, Kazhani, ndoshta sepse i përket të njëjtit klan komunisto-socialist, jo vetëm nuk merr mundimin të shkruajë diçka rreth këtij sulmi ndaj një gruaje, por ngre në qiell Karlo Bollinon, eprorin e Doçit, se jo vetëm ka fituar një gjyq me gazetarin Olldashi, por është edhe modeli më i lartë i gazetarisë sot në Shqipëri!

Karlo Bollino, për fat të keq, nuk është modeli i gazetarit të ndershëm, me një standard të vetëm dhe të papërlyer. Nëse i referohemi Montanellit (veprën e të cilit ai duhet ta njohë) “gazetarët që shoqërohen gjithë kohën me politikanët, nuk janë të besueshëm”. Bollino nuk ka hezituar të demonstrojë vizita në çift me Veliajn, që rastësisht është edhe Kryetari i Bashkisë, të cilit i bëhet “fresk” shpesh në shkrimet e Kazhanit. Gazeta e tij është e mbushur me shkrime, që reklamojnë Veliajn, si shpëtimtar të Tiranës.

Gjithashtu, marëdhëniet e tij me Ramën dhe të famshmin “bunker-muze” nuk janë etikisht të pastra për një përfaqësues të shtyllës të katërt të pushtetit, në një vend ku korrupsioni është monstruoz.

Ndaj të entuziazmohesh se një gazetar i fuqishëm, i lidhur me pushtetin fiton gjyqin ndaj një gazetari të thjeshtë dhe bile e përdor këtë fitore për ta diskredituar si karakter, në dëshminë e Olldashit kundër Xhafajve, do të thotë të rreshtohesh jo në anën e gazetarëve, por të “gazezarbave”.

Përdorimi i penës si kobure, për intersa personale apo për ato të klanit, jo vetëm nuk është etik, por është edhe ligjërisht i dënueshëm.

Në të tilla raste bindesh, se edhe nëse “gazezarbat” nuk janë në “organikën” e një klani mafioz, ata veprojnë plotësisht si të tillë.

 

Të fundit