Flash News

KRYESORE

Gazment Bardhi shpërndan dokumentet e Metës, apelon për reagim urgjent të SPAK

Denoncimeve të bëra paraditen e sotme nga Presidenti Ilir Meta, i cili në konferencë shtypi publikoi fakte të reja për të kallëzuar kreun e KED, Ardian Dvorani, i ka bërë jehonë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demoratike, Gazment Bardhi.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ka shpërndarë dokumentet e bëra publikë nga ana e Presidentit të i Republikës, dokumente te cilat sipas zyrtarit të lartë të PD-së, dëshmojnë edhe njëherë, në mënyrë të pakundërshtueshme, përdorimin e Ardian Dvoranit si mekanizëm për kapjen politike të Gjykatës Kushtetutese nga Edi Rama.

“Manipulimi kriminal i fakteve dhe fshehja e të dhënave janë një krim i rëndë shtetëror. SPAK duhet të veprojë menjëherë dhe pa asnjë hezitim”, apeloi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Ai shkruan se kapja e Gjykatës Kushtetuese është jetike për Edi Ramën. “Është mënyra e vetme për t’i hapur rrugë projekteve të tij për kriminalizimin total të shtetit, bashkëqeverisjen me oligarkët dhe krimin e organizuar, si dhe për të pasur kontrollin politik mbi çdo pushtet dhe institucion të pavarur”, përfundon Gazment Bardhi.

Kujtojmë se Presidenti Meta publikoi sot disa letër-këmbime mes Dvoranit dhe Kuvendit për emërimet e vakancave për Gjykatën Kushtetuese në nëntor të vitit të shkuar, një çështje që hapi debat të ashpër mes presidentit dhe Kuvendit, e mazhorancës.

Të fundit