Flash News

OP-ED

Gijotinë dhe Amnisti; se çfarë mendon Rama e di vetëm Rama

Gijotinë dhe Amnisti; se çfarë mendon Rama e di vetëm Rama

Alfred Lela

Edhe Fridrih Ebert Stiftung, një fondacion i së majtës gjermane që operon në Shqipëri, në një studim të sapopublikuar i faturonte kryeministrit Rama etiketën e përdorimit të masave shtrënguese për të forcuar autoritetin e vet, por edhe personalizimin e fushatës kundër Covid-19.

Është i rëndësishëm të theksohet statusi i kësaj organizata edhe njëherë: gjermane, e majtë, serioze. Kjo sepse Kryeministri e ka standardizuar tashmë metodën e sjelljes ndaj kritikëve të brendshëm, duke i quajtur ‘kazan’ dhe duke i futur të gjithë në një thes, pavarësisht se jo të githë  e kritikojnë për motive politike, dhe jo të gjithë për inate apo hatërmbetje personale.

Ekziston një fakt, megjithatë, që është po aq serioz sa gjermanët, dhe që flet e përsërit idenë se po, z. Rama e ka personalizuar në ekstrem reagimin shtetëror dhe publik anti-koronavirus. Ky fakt ka të bëjë me një kontrapedal të kryeministrit. Prezantimin prej tij të një pakete ndryshimesh të rrepta në Kodin penal, me qëllim ndëshkimin shembullor të shkelësve të karantinës dhe masave të tjera qeveritare të kordonit sanitar dhe pak më pas një ‘paketë amnistie’ në të cilën ai, me ‘zemërgjerësi atërore’, i fali të gjitha gjobat dhe i ktheu patentat e sekuestruara nga ata që i kishin humbur në fazën e parë të ‘luftës’ kundër koronavirusit.

Kjo abrakadabra, ky menaxhim gaz-e-frena i gjendjes së emergjencës, por edhe i ndjesive publike, të shtyn drejt dy përfundimesh. Kryeministri nuk është serioz në veprimtarine e tij si drejtues i lartë shtetëror, gjë që nuk na gëzon, ose, gjë që gjithaq nuk na shërben, ai, ashtu siç thuhet në studimin e Fondacionit gjerman, i personalizon punët e shtetit dhe e sheh Republikën dhe ligjin si instrumente të kapriçiove dhe jo të shtetit.

Personalisht do preferoja një Ramë kapriçioz në vend të një Rame joserioz, po pastaj, duam s’duam, drejtimi i shtetit sipas tekave është akt karagjoz.

 

 

 

Të fundit