Gjekmarkaj: Pika e kthesës do të vijë kur opozita t’i prodhojë lajmet dhe jo mazhoranca

Për analistin Agron Gjekmarkaj pika e kthesës në Shqipëri do të vijë në momentin kur do të jetë opozita ajo që do t’i prodhojë lajmet dhe jo mazhoranca.

Gjekmarkaj, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News 24 është shprehur se  tani jemi në pikën kur aparati propogandues i mazhorancës prodhon lajme dhe kur opozita të tërheqë pas mazhorancën me lajmet, propozimet dhe lëvizjet e saj atëherë do të jetë pikë kthese.

Në intervistën e dhënë Gjekmarkaj ka komentuar propozimet e PD për krimin zgjedhor, duke thënë se qeveria teknike 100 ditë para zgjedhjeve është një zgjidhje për të gjitha palët.

Ai ka shtuar se një proces tjetër zgjedhor me Ramën do e fuste politikën shqiptare në një krizë edhe më të rëndë si dhe mbështeti edhe bashkëpropozimin tjetër të PD për ndryshimin e drejtuesit të përgjithshëm të Policisë.

“Partia Demokratike ka nevojë për një hapje thelbësore, konkurrencë të brendshme për deputetët, kryetarët e partive, të ketë mundësi që kushdo që është në atë parti intelektualë të hyjnë në këtë parti, nëpërmjet CV-së dhe ofertave që i bëjnë publikut të zënë vendet në këtë parti.

Duhen programe konkrete që njerëzit t’i shohin t’i prekin dhe t’i votojnë. Copëzimi i elektoratit të djathtë duhet një aleancë sa më shumë gjithëpërfshirëse që mbartin vota të djathta ose joshin pjesë të tjera të elektoratit. Lidershipi i PD e ka thelbësore hapjen dhe bashkimin”, tha ndër të tjera analisti Gjekmarkaj.