Gjergj Meta i bashkohet Lubonjës: Heshtja e intelektualëve është bashkëpunim me krimin. Rrugëdalje ka

Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, në një prononcim për Politiko.al, bie dakord me Fatos Lubonjën, i cili tha në një intervistë se intelektualët që heshtin janë pjesë e bandave. “Heshtja është bashkëpunim”, miraton kleriku i lartë i Kishës katolike. Por, jo të gjithë intelektualët heshtin, thekson ai, duke shtuar se forumet e debatit janë në çdo orë të kapura nga politika dhe ka pak vend për zërat e tjerë.  “Politika e ka humbur besueshmërinë e seriozitetin”, është përfundimi i klerikut.

Prononcimi i plotë:

Në një intervistë në media, Fatos Lubonja thotë qe intelektualët që heshtin janë pjesë e bandave. Në fakt, heshtja është bashkëpunim. Por, ama pjesa më e madhe e intelektualëve të këtij vendi flasin që çke me të. Jo të gjithëve u jepet mundësia e pjesmarrjes në mediume që janë të zëna nga politika 24/24 orë dhe prej analistëve elitarë.

Intelektualët flasin, njerëzit flasin, unë kam folur e kam ngritur zërin, njësoj si Lubonja në shumë raste. Por, nuk është më koha e konstatimeve dhe e fjalëve. Nuk mjafton më të flasësh. Tani duhet veprim. Për fat të keq, politika ka humbur besueshmërinë e seriozitetin. Një ndërgjegjësim veprues duhet të ndodhë jashtë gardhit partiak dhe politik. Më shumë se kurrë nevojitet, në mënyrë paradoksale, një aleancë në të cilën të ulen armët e retorikës së dhunshme partiake e të ngrihen armët e bashkëpunimit dhe partneritetit. Duhet një logjikë vepruese urgjente në luftën kundër korrupsionit, kriminalitetit të organizuar dhe atij spontan, kundër trafiqeve të ndryshme e kundër informalitetit. Të ulen armët e retorikës denigruese dhe të dhunshme e të krijohet një partneritet me të gjithë faktorët, përfshi komunitete fetare.

Është humbur besimi, jo vetëm te partitë, por edhe te intelektualët që ngrenë zërin nëpër mediume. Nuk dëgjon më askush dhe nuk do të dëgjojë më. Por, sigurisht, të gjithë, sidomos të rinjtë do të donin të vepronin në ndërtimin e shoqërisë. Ndërgjegjësim veprues, reagim veprues ky duhet në Shqipëri.