Gjermani Weber sfidon Qeverinë në Berlin: Do e ndaloj ‘Nord Stream 2’ nëse zgjidhem në krye të Komisionit

Kandidati i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, ka paralajmëruar se do të bëjë çdo përpjekje për të bllokuar ndërtimin e gazsjellësit ‘Nord Stream 2’, nëse zgjidhet presidenti i Komisionit Evropian.

“Jam kundër projektit ‘Nord Stream 2’. Ai do të rrisë varësinë e BE-së ndaj gazit rus dhe kemi nevojë më shumë pavarësi nga gazi rus”, është shprehur politikani gjerman.

Ai tha se do të përdorë çdo instrument për të bllokuar ndërtimin, ndonëse projekti është në fazë të avancuar.

“Kjo është arsyeja përse si president i Komisionit, unë do të përdor të gjitha instrumentet ligjore të mundshme dhe do të shikojë të gjitha mundësitë për të ndaluar NS2. Ju e dini që ky është një projekt i avancuar, por unë do të bëjë më të mirën”, ka thënë Weber.

Manfred Weber është kandidati i grupit më të madh politik në Parlamentin Evropian, për të marrë drejtimin e Komisionit, pas zgjedhjeve evropiane në muajin maj.

Ky qëndrim i tij kundër ‘Nord Stream 2’ sfidon pozicionin e Qeverisë së Gjermanisë, që ka dhënë mbështetje maksimale për gazsjellësin. ‘NS2’ fillon në Rusi dhe nëpërmjet detit Balltik mbërrin në Gjermani, ku do të transportojë gazin rus.

Projekti është kundërshtuar fuqishëm nga Polonia, shtetet balltike dhe SHBA, por Berlini është shprehur në favor të realizimit.