Flash News

KRYESORE

Gjermania i kërkon Francës të heq dorë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së: Të përfaqësohemi nga Bashkimi Evropian

Gjermania i kërkon Francës të heq dorë nga Këshilli i

Gjermania ka bërë së fundmi një propozim të rëndësishëm diplomatik me kërkesën drejtuar Francës për t’u ngritur nga karrigia në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe për të ulur aty Bashkimin Evropian.

Zv/kancelari gjerman, Olaf Scholz, njëkohësisht ministër i Financave në qeverinë e Angela Merkel, kërkoi nga Parisi që të mbështeste këtë propozim, me qëllim që Bashkimi Evropian të përfaqësohet “me një zë” në skenën globale.

“Ne ndoshta mund të imagjinojmë që në terma afatmesëm karrigia e Francës të bëhet karrige e BE-së. E kuptoj se do duhet kohë që të bindet Parisi, por ky do të ishte një qëllim i zgjuar dhe i guximshëm. Për të lehtësuar dhimbjen e humbjes së karriges së fuqishme, Franca mund të bëhet ambasadorja e përherhshme e BE-së në OKB”, ka deklaruar Scholz.

Por ky propozim i zv/kancelarit gjerman ka hasur në kundërshtimin e menjëhershëm të ambasadorit francez në SHBA, Gerard Araud.

“Ligjërisht është e pamundur sepse është në kundërshtim me Kartën e OKB-së. Për ta ndryshuar do të ishte politikisht e pamundur”, deklaroi ambasadori.

Këshilli i Sigurimit është organi më i rëndësishëm i OKB-së ku bëjnë pjesë pesë shtete me të drejtë veto: Franca, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Rusia dhe Kina.

Me daljen e britanikëve nga BE-ja, Franca mbetet shteti i vetëm në Këshill që përfaqëson unionin.

Sa i përket Këshillit të Sigurimit, shumë shtete të tjera të fuqishme po bëjnë përpjekje për ndryshimin e përbërjes së tij. Turqia dhe Gjermania kanë mbështetur së fundmi idenë e zgjerimit të anëtarëve me të drejtë veto.

Në vitin 2010-të, ish-presidenti amerikan Barack Obama mbështeti kërkesën e Indisë për t’u bërë pjesë e këtij Këshilli, ndërkohë që një kërkesë e ngjashme është bërë edhe nga Brazili dhe Japonia. Shtetet afrikane kërkojnë gjithashtu dy ulëse të përhershme në këtë organ, për të përfaqësuar siç duhet kontinentin.

Të fundit