Flash News

KRYESORE

Gjest antisportiv i Messit pas humbjes dëshpëruese ndaj Kroacisë

Në futboll, sapo dëgjohet fërshëllima e fundit e gjyqtarit, është zakon që lojtarët t’u japin dorën si shokëve të ekipit, ashtu edhe kundërshtarëve, pavarësisht rezultatit të ndeshjes.

Por, pas humbjes dërrmuese 0-3 përballë skuadrës ballkanase të Kroacisë, Lionel Messi nuk takoi askënd.

Dukshëm i prekur dhe i zhgënjyer nga disfata, Messi hidhte lodhshëm hapat, ndërsa dilte nga fusha e stadiumit të Nizhni Novgorodit pa i folur askujt e jo më t’i jepte dorën ndonjërit.

Superylli i kombëtares së Argjentinës nuk la pothuajse asnjë gjurmë në një ndeshje, ku favoritët e përjetshëm të Kupës së Botës u dërrmuan dhe u lanë plotësisht në hije nga një Kroaci e mirorganizuar, që shfrytëzoi gabimet e Argjentinës.

Humbja dëshpëruese e mbrëmjes së kaluar pason barazimin 1-1 në ndeshjen hapëse me ekipin modest të Islandës.

Ndërkohë, mijëra kroatë festuan në rrugët e vendit kualifikimin e kombëtares së tyre për fazën e 1/16 të Botërorit 2018 në Rusi.

“Kroacia është e entuziazmuar!”, e titullon artikullin e saj gazeta “Jutarnji list” në faqen e internetit duke i shoqëruar artikujt me foto mbresëlënëse në të gjithë vendin të tifozëve të ekipit me ngjyrat e famshme të kuqe, të bardhë dhe blu.

“Fitorja e mrekullueshme e “Brilantëve” është festuar në të gjithë Kroacinë”, shkruan “Vecernji list”, ndërkohë që “Sportske Novosti” thekson se “mbarë bota ka arritur në të njëjtin përfundim: Kroacia shkatërroi Argjentinën!”

Gjatë mbrëmjes, disa mijëra persona kanë ndjekur ndeshjen e Botërorit në një ekran gjigant të vendosur në sheshin kryesor të Zagrebit.

“Ne kemi qenë më të mirët gjatë ndeshjes dhe Mesi ka qenë i padukshëm”, është shprehur një student 19-vjeçar, i pranishëm për të parë ndeshjen që përfundoi me rezultatin 3-0, në sajë të dyshes së yjeve Ivan Rakitic-Luka Modric dhe një goli nga Ante Rebic, i cili përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtësit argjentinas, Willy Caballero.

Të fundit