Flash News

OP-ED

'Gjesti brutal' i Piktorit që dëshmon fundin e tij

'Gjesti brutal' i Piktorit që dëshmon fundin e tij

Fitim Zekthi

Këto janë momentet më të këqija të kryeministrit Edi Rama që kur ai mori qeverinë në vitin 2013. Ai ishte përpjekur gjithë këto vite me anë të propagandës, varfërimit, fasadave, luftës ndaj opozitës, kontrollit të mediave, të mos lejonte mendjet e njerëzve të mendonin çfarë qeverisjeje kishte sjellë. Tani, pasi në Kalimash populli i ngritur në protestë kundërshtoi një akt tipik të Ramës, njerëzit kudo po shohin “mbretin lakuriq”. Protesta u përkrah masivisht dhe kjo përkrahje ndjehej gjithandej. Të gjithë, në kafene, ne rrjete sociale, në familje, në oborre shkollash po thonë “shumë mirë e bënë, le të vazhdojë më tej.”

Edi Rama ka dëshmuar në këto 20 vite pushtet politik një “talent” të rrallë. Një “talent” që kërkon këmbëngulje dhe llogaritje të jashtëzakonshme, talent të cilin në Shqipëri nuk e ka asnjë politikan. Sa herë që është gjendur në vështirësi, sa herë që është gjendur në nevojë ose në hall, sa herë rrezikon të humbë diçka, Edi Rama luan viktimën, kërkon ndjesë, kërkon falje, tërhiqet. Kurrë ndonjëherë parimet apo idetë nuk kanë qenë udhërrëfyese të qëndrimeve apo vendimeve të Ramës. Rama, ndonëse me formim artisti, pra një njeri larg llogarive, një njeri vendimarrjen e të cilit duhet ta drejtojnë emocionet, duhet ta drejtojë një muzë a kredo e brendshme, për të cilën një artist nuk do të tërhiqej nga asgjë, është shfaqur një llogaritar i ftohtë, si një mekanizëm gati vetëm biomolekular që bën atë që i jep rezultatin më të mirë. Sa kalon gjendja, nevoja apo halli Rama kthehet ai i pari, arrogant, përçmues, luftarak, nën pushtetin e emocioneve, ngasjeve apo tërheqjeve të ndryshme etj.

Kështu, pa numëruar çdo kërkim faljeje apo tërheqje të Ramës, kur qeveria dhe ministrja e Mbrojtjes Kodheli dekoruan Vito Kapon dhe shumë ish kriminelë të Sigurimit të Shtetit, dhe kur Rama u përball me kritika të forta, ai kërkoi falje për këto dekorime. Tha se kishte gabuar. Kur ishte në takime me njerëzit para zgjedhjeve, kritikës se nuk kishte krijuar 300 mijë vende pune, që nuk kishte ndërtuar shëndetësinë falas etj., ai i përgjigjej duke thënë se nuk ka një shkop magjik, se qeverisja kishte edhe gabime, se duhet kohë, se ai gabon dhe e pranon gabimin etj. Kur djali i një depueteje socialiste vrau katër vetë, dhe kur opinioni shpërtheu kundër Kryeministrit dhe deputetes, Rama tha se ai nuk ishte si të tjerët se ai dinte të tërhiqej, të pranonte situatën dhe të zhvishte nga mandati deputeten.

Kur plasi në shtyp plani i qeverisë për të ndërtuar hidrocentrale në kaskadën e lumit Osum, Rama sërish kërkoi ndjesë, tha gabuam. Kur gazetari Mero Baze denoncoi një ndërtim në lumin Vjosë të një biznesmeni, duke akuzuar qeverinë se po e lejonte, Rama dërgoi atje disa ministra, u tërhoq, kërkoi ndjesë. Kur u paraqit nga Rama ligji i importit të mbetjeve dhe kur pati kundërshtime të mëdha, ai nuk e rifuti për miratim ligjin. U tërhoq, tha do ta riformulojmë etj. Nuk po flasim për tërheqjet dhe sulmet ndaj politikanëve si Nano, Meta, Blushi etj. Nuk po flasim për sharjet ndër dhëmbë në parlament për të cilat më pas kërkon ndjesë. Pra, rastet kur Rama është keq dhe në hall dhe ai tërhiqet, kërkon falje, janë shumë aq të shumta sa edhe raste kur ai duke mos qenë në hall apo keq është arrogant, shkel këdo dhe gjithçka, shan dhe kërcënon.

Të gjitha këto raste ndjese dhe faljeje kanë qenë vetëm mashtrime, fitim kohe, rigrupim forcash në mënyrë që të vijohet edhe më fort atje ku ishte. Tërheqja, kërkimi i faljes është një nga gjërat thelbësore që e bëjnë të funksionojë një demokraci. Roger Scruton thotë se tërë llogaridhënia, si kriteri bazë i demokracisë, ngrihet mbi faktin që politikani gabon, kërkon ndjesë, jep llogari dhe kësisoj demokracia mbetet funksionale. Që të kërkosh ndjesë nuk mjafton të thuash “më fal, më ndje, gabova, nuk do ju tradhtoj”. Presidenti Bill Klinton (dhe nuk po marrim një politikan konservator, por liberal pasi do ishte shumë për Ramën), u shpreh në fjalimin e tij të kërkimit të faljes për çështjen Levinski se të të falin kërkon më shumë se sa të kërkosh ndjesë apo të shprehësh keqardhjen. Ai tha duhet pendim i plotë për veprimin apo qëndrimin dhe zotim për të ndrequr gabimin. Klinton iu referua teksteve të shenjta të cilat flasin për “shpirt të thyer” i cili me ndihmën e Zotit, duke dashur fuqimisht të falet heq dorë nga krenaria, nga zemërimi që i errëson gjykimin dhe që e shtyn të gjejë justifikime apo të fajësojë të tjerët. “Tani është koha për kthim", tha presidenti Klinton. "Duhet vullnet për këtë kthim, duhet të largohemi nga zakonet e vjetra, duhet të ulim kokën…”.

Asnjëherë kryeministri Rama, as kur u tërhoq për armët kimike, as kur u kërkoi falje për dekorimet e ish sigurimsave, as kur kërkoi ndjesë për kaskadën e Osumit, as kur u tërhoq për ndërtimin në Vjosë, as kur kërkon ndjesë se nuk ka hapur vende sa premtoi, as kur shpreh dhimbjen për vrasjet e djalit të deputetes, as kur thotë se kam gabuar, as kur iu kërkon falje atyre që i ka nxjerrë gabimisht nga skema e përkrahjes sociale, as kur thotë se e ndjej dhimbjen e të varfërve apo të  atyre që vuajnë nga papunësia dhe mjerimi, nuk ka ndjerë pendim, nuk ka hequr dorë nga arroganca dhe nuk ka dashur të riparojë asgjë. Përkundrazi, ai ka kërkuar ndjesë dhe ka sulmuar, ka kërkuar falje dhe ka sharë kundërshtarët, ka pranuar se ka gabuar dhe ka zier nga zemërimi ndaj të tjerëve.

Këtë gjë ka bërë me tërheqjen për armët kimike ku shau egërsisht opozitën, këtë gjë bëri kur ishte në krah të deputetes Xhuvani ku sulmoi po egërsisht PD-në, këtë gjë bëri për ligjin për mbetjet ku sulmoi PD-në, këtë gjë bëri për tërheqjen nga digat në Osum ku sërish sulmoi PD-në etj., këtë gjë për dekorimet e ish sigurimsave ku turfulloi ndaj kritikëve etj. Pra të gjitha këto falje kanë qenë, si çdo gjë tjetër, fasadë.

Në lidhje me protestat në Kukës Rama u soll ndryshe. Ankthi i hallit, gjendja e vështirë e bënë të thoshte se kërkon ndjesë që nuk informoi drejt, që nuk pati kujdesin e duhur, që nuk do i  tradhëtonte kurrë qytetarët etj. Por dallimi këtë herë ishte se ai reagoi brutalisht duke bërë arrestime të protestuesve, duke i marrë ata natën nga shtëpitë dhe duke i dërguar disa prej tyre në Tiranë. Ai nuk mbeti te kërkimi fals i faljes dhe te sharja e kundërshtarit si përherë. Atij iu trondit diçka e madhe, ai e kuptoi se gjithçka arriti një pikë vlimi se njerëzit tashmë fajësojnë Ramën dhe e mbajnë atë përgjegjës për gjithçka.

Rama bëri gabimin e rëndomtë që bën çdo politikan kur ka shkuar shumë larg dhe nuk kthehet dot. Rama mund të tërhiqet nga tarifa e rrugës pasi ka shkuar larg. Rama nuk mund të dorëzohet para disa “fakirëve dhe derdimenëve” të cilët për të janë askushi përballë projektit apo sistemit të tij që është gjithçka. Tashmë Rama është sistemi i Ramës dhe ndaj ai do i nënshtrohet atij. Do vinte kjo pikë domosdo kur sistemi Rama do të “kanibalizonte” Ramën.

Rama që ka një talent të rrallë për të luajtur viktimën dhe për të kërkuar falje, edhe kur askush nuk e bën, Rama që ka energjinë e pashtershme për të bërë çdo gjë që të shihet me simpati, t'u hedhë hi syve njerëzve, dhe të ripohojë pushtetin e tij, gaboi. Sistemi shkoi larg, urdhëroi dhunë. Hanah Arendt thotë se pushteti është aftësia e njerëzve për të vepruar duke bashkërenduar veprimet e tyre. Pushteti nuk i përket kurrë një njeriu, por një grupi. Rama, ministrat, biznesmenët, konçesionarët, klientët, ushtrojnë pushtet duke bashkërenduar veprimet e tyre. Në këtë grup nuk hyjnë njerëzit, opozita, hallexhinjtë, të qeverisurit etj. Deri në momentin e marrjes së vendimit për vendsojen e tarifës në rrugë pushteti shfaqej i fortë, i paprekshëm. Shumë herë më parë ai, po në këtë mënyrë, kishte vendosur taksa, thelluar varfërinë, tallur njerëzit, vjedhur ata etj., dhe kishte ecur mirë.

Arendt pohon se “dhuna gjithnjë shkatërron pushtetin”. Pushteti e përdor dhunën, por dhuna nuk e ruan pushtetin. Në momentin që ushtrohet dhunë kemi zëvendësim të pushtetit me dhunën. Kur përdori dhunë, të cilën po e përdor ende, pushteti i sistemit Rama u zhduk, vendin e tij e zuri dhuna. Sado që të heqë dorë tani nga dhuna, pushteti i Ramës nuk do të jetë më kurrë si më parë. Pushteti i Ramës, apo më mirë i sistemit Rama thjesht do të gangrenizohet deri në shkatërrim të plotë. Ai sistem nuk ofron dot më asgjë, as narrativë. Edhe propaganda, edhe fasada, edhe “talenti” i Ramës për të kërkuar falje apo bërë viktimën kanë një limit.

Dhuna e dëshmoi.

 

Të fundit