Flash News

KRYESORE

Gjirokastra, një emergjencë kombëtare

Gjirokastra, një emergjencë kombëtare

Besnik Aliaj

Ka vite që Gjirokastra ka hyrë në një udhë qorre degradimi fatal nga procese serioze gjeoteknike dhe erozioni masiv. Faqe të tëra kodrash e mali po rrëshqasin; fenomenet tektonike janë bërë të frikshme; çarjet e tokës, përmbytjet, rrëshqitjet masive të gurëve dhe probleme të tjera gjeologjike tashmë janë të pranishme kudo.

Me dhjetra shtëpi dhe ndërtesa historike, përfshi edhe pallate shumëkatëshe janë në rrezik serioz ose janë shembur! Infrastruktura rrugore është dëmtuar seriozisht dhe mjaft ura strategjike për komunikimin në rajon janë rrënuar.

Vetë kalaja dhe qyteti historik i Gjirokastrës është vënë në rrezik dëmtimi të parikthyeshëm, pse jo të eksterminimit përfundimtar. Një nga perlat tona turistike, simboli i trashëgimisë kombëtare, dhe krenaria jonë kryesore në UNESCO është në rrezik eminent. Një situatë që qartësisht nuk mund të zgjidhet dot sot as nga pushteti vendor apo ai rajonal që janë të braktisur pa kompetenca e financa.

I bëj thirrje autoriteteve dhe shoqërisë shqiptare të reagojnë sa nuk është vonë me një plan masash serioze kombëtare për të ndalur katrastrofën. Ky është shansi i fundit. Nesër do jetë vonë. Tashmë është super urgjent një plan masash radikale dhe financim agresiv përfshirë:

Investimin për mbjelljen masive të pemëve;

Zhvillimin e kurorës së gjelbër të qytetit dhe të pyjeve rajonale;

Sistemimin e anëve të lumenjve, dhe organizimin e përrenjve malorë që duhen pastruar nga plehrat e risistemuar me prita për të ulur shpejtesinë dhe agresivitetin;

Mbrojtjen e rajonit nga zjarret e verës për të mos dëmtuar bimësinë që garanton kohezionin e kores së tokës si garanci kundër erozionit;

Ndaljen e ndotjes masive dhe hedhjen e mbetjeve në lumenj e përrenj;

Riaktivizimin e bujqësisë, vreshtarisë dhe pemëtarisë për të rritur sipërfaqen e gjelbër;

Restaurimin dhe përforcimin e urave, rrugëve dhe akseve kryesore;

Punësimin dhe rritjen ekonomike për të risjellë banorët në zonë nga emigracioni me qëllimin për të ringjallur vendbanimet, turizmin dhe objektet historike;

Kreditimin pa interes të restaurimit të banesave dhe monumenteve të trashëgimisë;

Edukimin e fëmijëve dhe komunitetit me ndjenjën e dashurisë për vendin, mjedisin dhe angazhimin. qyetar.

Situata është: O sot, o kurrë!

Ndryshe Gjirokastra dhe Shqipëria shuhen përgjithmonë!

Të fundit