Gjykata Administrative e Apelit e kalon çështjen e “Kopshtit Botanik” në Shkallën e Parë

Gjykata Administrative e Apelit e shpalli veten jo kompetente për të gjykuar padinë e bërë nga Universiteti i Tiranës kundër Këshillit të Ministrave sa i përket pronësisë së Kopshtit Botanik.

Trupa gjykuese me pesë gjyqtarë vendosi që çështja të kalojë për gjykim në themel në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Drejtoria Juridike e Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin e Tiranës përgënjeshtroi lajmet se padia ishte rrëzuar apo që ishte në kundërshtim me ligjin.

“Kërkesë padia e ngritur nga Rektori i UT-së kundër VKM-së që kalon Kopshtin Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë do të gjykohet nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë. Gjykata Administrative e Apelit nuk ka rrëzuar padinë e Rektorit të UT, por ka përcaktuar kompetencën funksionale”, thuhet në deklaratën e UT.

Kjo do të thotë se dosja e pandryshuar kalon në gjykatën Administrative të Shkallës së Parë. Disa javë më parë Gjykata Administrative e Apelit vendosi se padia ishte legjitime dhe se duhej të kalohej në gjykim.