Gjykata liron “Cinen” e Shijakut, reagon ish-deputeti i PD: Protestuesit në burg, banditët shijojnë lirinë. Boll më!

Ndërsa po përballet me drejtësinë dhe disa akuza pasi u arrestua nga policia në protestën e banorëve të Unazës së Re, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu reagon i revoltuar pas vendimit të gjykatës që liroi nga burgu Jasin Avdylin, me pseudonimin “Cine” i Shijakut, i arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Vol-vo 4”.

Në një status në rrjetet sociale, Balliu ngre shqetësimin se drejtësia aktuale çon në burg qytetarët dhe liron kriminelët.

Reagimi:

Zgjedhjet e Ramës: Arrestohen votuesit lirohen hajdutët e votave!

Lirohen Avdylët për zgjedhjet.
Të dashur miq Prokuroria dhe Gjykatat nën urdhrat e Edvin Ramës kërkojnë arrest me burg për protestues. Ndërkohë që bandat i lirojnë, duke i lënë në arrest shtëpie.
Sepse sipas Prokurorisë protestuesit qytetarë janë më të rrezikshëm se banditët që vjedhin votat.
Pra votuesit janë për burg kurse ata që vjedhin votat janë për tu liruar.

TURP.
Këta nuk njohin limit.
Ju ftoj me 8 qershor ta zhdukim këtë pushtet të droguar dhe të inkriminuar me çdo mjet e me çdo kusht.

BOLL MË.
Qytetarët smund të jenë në burg ndërkohë që banditët shijojnë lirinë.

“Cine” i Shijakut u arrestua bashkë me 26 shtetas të tjerë për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale.